Leximet e ditës

JAVA E XI GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime. Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.

 

Kolekta

 

O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që, në zbatim të urdhërimeve të tua, të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Kro 24, 17-25) (fq. 529)

 

E keni vrarë Zakarinë mes tempullit dhe lterit të Zotit.

 

Lexim prej librit të dytë të Kronikave

 

17 Pasi vdiq Jojada, prijësit e Judës hynë te mbreti dhe e përshëndetën me nderim. Mbreti i zbutur me dhurata kësaj here i dëgjoi. 18 Kështu e lanë Tempullin e Zotit, Hyjit të etërve të vet, dhe i nderuan banirët e shuguruar dhe idhujt. Për shkak të këtij mëkati të tyre, hidhërimi i Zotit shpërtheu kundër Judës e Jerusalemit. 19 U qenë dërguar profetë që të ktheheshin kah Zoti. Profetët i qortonin, por ata nuk ua venin veshin.

20 Këndej Shpirti i Hyjit e pushtoi Zakarinë, birin e priftit Jojada. Ky qëndroi përpara popullit e u tha: "Kështu thotë Hyji: Pse i shkelni urdhërimet e Zotit? Kjo gjë nuk do t'jua sjellë të mirën! Pasi ju e latë Zotin, edhe Zoti do t'ju lërë ju!" 21 Ata u çuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit e mbytën me gurë në tremen e Shtëpisë së Zotit. 22 Joasit mbret nuk deshi t'i bjerë ndër mend dashuria që ia kishte treguar Jojada, babai i tij, por e vrau të birin e tij, që, duke vdekur, tha: "Zoti paftë e pagoftë!"

23 Tashti, në krye të vitit, u çua kundër tij ushtria e Sirisë, i ra Judesë e Jerusalemit, i shfarosën të gjithë prijësit e popullit dhe mbarë prenë ia dërguan mbretit në Damask. 24 E, megjithëse kishte ardhur një numër i vogël sirianësh, Zoti e lëshoi në duart e tyre një ushtri shumë të madhe për arsye se e kishin lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet. Edhe kundër Joasit, ushtruan dënime poshtëruese. 25 Ata shkuan dhe e lanë shumë të sëmurë. Kundër tij u çuan shërbëtorët e tij dhe, për ta marrë gjakun e birit të priftit Jojadë, e vranë në shtratin e tij dhe vdiq. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 89 (88), 4-5.29-30.31-32.33-34 (fq. 759)

 

Ref. Mirësia e Zotit qëndron për amshim.

 

4 "Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,

i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

5 Farën tënde do ta ruaj për amshim,

froni yt do të qëndrojë brez pas brezi."

 

Ref. Mirësia e Zotit qëndron për amshim.

 

29 Për të gjithmonë do ta ruaj dashurinë,

Besëlidhjen me të kurrë s'do të thyej.

30 Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme,

fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Ref. Mirësia e Zotit qëndron për amshim.

 

31 Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim,

e në mos ecshin ligjeve të mia,

32 po nuk zbatuan vendimet e mia,

po i shkelën urdhërimet e mia.

 

Ref. Mirësia e Zotit qëndron për amshim.

 

33 Me thupër do t'i ndëshkoj mëkatet e tyre,

me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

34 Por nuk do ta këpus dashurinë me të

as nuk do ta prish besnikërinë time.

 

Ref. Mirësia e Zotit qëndron për amshim.

 

Aleluja!

Jezu Krishti duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij. (krh. 2 Kor 8, 9)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 6, 24-34) (fq. 1391)

 

Mos u brengosni për të nesërmen.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 »Askush s'mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t'i mbështetet njërit e tjetrit do t'ia kthejë shpinën. Nuk mund t'i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.«

25 »Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27 E kush prej jush me gjithë përpjekje shqetësuese që të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet?

28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vet Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër qitet në furrë, vallë, a nuk do t'ju vesh më me ëndje ju, o besimpakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: 'Çka do të hamë?' e 'Çka do të pimë?' Me çka do të vishemi?' 32 - këto gjëra i kërkojnë paganët - sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto.

33 Kërkoni, pra, më së miri Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaftë pikëllimi i vet!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti me bukën e verën na jep shujtën që na ushqen, dhe sakramentin që na përtërin: mos na lër kurrë, po të lutemi, pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 26, 4

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj: të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.

 

Ose: Gjn 17, 11

 

Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, bëj që ky kungim që morëm, shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty, të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.