Leximet e ditës
JAVA E XII GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9
Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 20, 10-13) (fq. 1079)
Zoti e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.
Lexim prej Librit të Jeremisë Profet
Jeremia tha: 10 i dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: 'Paditeni! Le ta padisim!' Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: 'Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do t'i hakmerremi!' 11 Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s'do të ngadhënjejnë: turpi do t'i mbulojë se s'do t'ia dalin qëllimit, turp i përhershëm që kurrë s'do të shlyhet! 12 O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time! 13 Këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.
Fjala e Zotit
Psalmi 69 (68),8-10.14.17.33-35 (fq. 733)
Ref. Në mirësinë tënde të madhe më dëgjo, o Zot.
8 Për shkak tëndin e mbarta poshtërimin,
marrja ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi,
i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde,
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
Ref. Në mirësinë tënde të madhe më dëgjo, o Zot.
14 E pra, unë ty të lutem, o Zot,
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde,
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
17 Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt,
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe.
Ref. Në mirësinë tënde të madhe më dëgjo, o Zot.
33 Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
35 Le ta lavdërojnë qielli e toka,
detet dhe gjithçka lëviz në to.
Ref. Në mirësinë tënde të madhe më dëgjo, o Zot.
Leximi i dytë (Rom 5, 12-15) (fq. 1594)
Me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat.
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, 12 me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan...
13 - Në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, 14 prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte. 15 Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm - Jezu Krishtit.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Shpirti i së vërtetës do të dëshmojë për mua, por edhe ju do të dëshmoni për mua thotë Krishti. (Gjn 15, 26b.27a)
Ungjilli (Mt 10, 26-33) (fq. 1397)
Mos i druani ata që vrasin trupin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 26 »Mos ua kini, pra frikën njerëzve! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s'do të dihet.
27 Çka ju them në errësirë, thoni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikoni nga pullazet!
28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t'jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. 29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj.
30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura!
31 Pra, mos droni! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!«
32 »Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranojë para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t'i bie mohit para Atit tim qiellor.«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 144, 15
Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ose: Gjn 10, 11.15
Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të përtërirë me fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.