Leximet e ditës
JAVA E XII GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9
Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.
Kolekta
Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Mbr 17, 5-8.13-15a,18) (fq. 457/8)
Zoti e flaku Izraelin larg syve të vet. Mbeti vetëm fisi i Judës.
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve
Në ato ditë, 5 Salmanasari, mbreti i Asirisë e pushtoi mbarë vendin dhe u ngjit dhe e rrethoi Samarinë. E mbajti në rrethim për tri vjet. 6 Në vitin e nëntë të mbretërimit të Ozesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, i shpuri izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë, në brigjet e Haborit, lumë i Gozanit dhe në qytetet e medëve.
7 E ndodhi kështu, sepse bijtë e Izraelit mëkatuan kundër Zotit, Hyjit të vet, i cili i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit, prej kthetrave të faraonit, mbretit të Egjiptit, e ata nderuan hyjnitë e huaja. 8 Jetuan sipas dokeve të kombeve që i zhduku Zoti në ardhjen e bijve të Izraelit, e sipas ligjeve që i vunë në fuqi mbretërit e Izraelit.
13 E Zoti i kishte përkujtuar zyrtarisht izraelitët e judenjtë me anë të gjithë profetëve e të gjithë veguesve duke u thënë: "Kthehuni prej udhëve tuaja të këqija e mbani urdhërimet e rregulloret e mia sipas ligjit që ua urdhërova etërve tuaj dhe sipas të gjithave që jua kam zbuluar me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi."
14 Por ata nuk dëgjuan. E ngurruan zverkun e vet në gjasim të zverkut të etërve të tyre, që nuk deshën të besonin në Zotin, Hyjin e vet. 15 E përbuzën Ligjin dhe Besëlidhjen e tij, që e lidhi me etërit e tyre, kërkesat që ai ua kishte bërë.
18 Atëherë Zoti u hidhërua në Izraelin për së tepërmi dhe e flaku larg syve të vet. Mbeti vetëm fisi i Judës.
Fjala e Zotit
Psalmi 60 (59),3.4-5.12-13 (fq. 723)
Ref. Na shpëto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.
3 O Hyj, ti na flake tej, na theve:
ishe zemëruar! Kthehu prapë tek ne!
Ref. Na shpëto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.
4 E tunde dheun, copë e ndave,
shëroja plasat se po fundoset!
5 Bëre që populli yt të shohë të vështira të mëdha,
na dhe të pimë verë që të merr mendtë!
Ref. Na shpëto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.
12 Deh, na ndihmo në ditë të ngushtimit,
sepse s’ka shpëtim prej ndihmës së njeriut!
13 Bashkë me Hyjin mrekulli do të bëjmë,*
ai do t’i shqelmojë armiqtë tanë!
Ref. Na shpëto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.
Aleluja!
Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese; përshkon aq sa ndanë frymën dhe shpirtin. (Heb 4, 12)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 7, 1-5) (fq. 1391)
Nxirre më parë traun nga syri yt.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 »Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! 2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t'ju matet.
3 Pse e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd? 4 Dhe, si mund t'i thuash vëllait tënd: 'Prit ta nxjerr lëmishtën nga syri yt', kurse e ke traun në syrin tënd? 5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e mandej do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 144, 15
Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ose: Gjn 10, 11.15
Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të përtërirëme fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.