Leximet e ditës

JAVA E XII GJATË VITIT - Më poshtë - 24 qershor LINDJA E SHËN GJON PAGËZUESIT

 

Mesha e vigjiljes

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9

 

Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.

 

Kolekta

 

Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Mbr 19, 9b-11.14-21.31-35.36) (fq. 462/3)

 

Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim.

 

Lexim prej librit të dytë të Mbretërve

 

9 Në ato ditë, Senakeribi i dërgoi përsëri kasnecët e vet tek Ezekia për t'i thënë: 10 "Kështu thoni Ezekisë, mbretit të Judesë: Mos të gënjejë Hyji yt, në të cilin ke vënë shpresën dhe mos thuaj: 'Jerusalemi nuk do të bjerë në dorë të mbretit të Asirisë.' 11 Ti vetë ke dëgjuar mirë fort se ç'u kanë bërë të gjitha vendeve mbretërit e Asirisë: se si i kanë shkretuar! A thua vetëm ti do të shpëtosh?

14 Kur Ezekia mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe pasi e lexoi, shkoi në shtëpinë e Zotit dhe u shtri përpara Zotit. 15 Kështu u lut në praninë e Zotit: "O Zot, Hyji i Izraelit, që rri mbi kerubinë! Ti i vetmi je Hyji i të gjitha mbretërive të tokës! Ti e krijove qiellin e tokën! 16 Prire veshin tënd e dëgjo! Hapi, o Zot, sytë e tu e shiko! Dëgjo të gjitha fjalët e Senakeribit, që i dërgoi për të poshtëruar Hyjin e gjallë! 17 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë shkretëruan popuj dhe vendet e tyre! 18 Edhe zotat e tyre i dogjën në zjarr. Veçse ata nuk ishin Zot, por vepër e duarve të njerëzve prej drurit e gurit, dhe mbretërit e Asirisë i rrënuan. 19 Por ti, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e tokës, se ti, o Zot, je i vetmi Hyj."

20 Atëherë Isaia, biri i Amosit, dërgoi për t'i thënë Ezekisë: "Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit; "E kam dëgjuar uratën që ma ke drejtuar ti lidhur me Senakeribin, mbretin e Asirisë. 21 Ja fjalët që Zoti i tha kundër tij: Të përbuz, të përqesh virgjëra, bija e Sionit! Prapa teje e tund kokën bija e Jerusalemit! 31 sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica, të Shpëtuarit prej malit Sion! Dashuria përvëluese e Zotit do ta bëjë këtë! 32 Prandaj Zoti kështu thotë për mbretin e Asirisë: S'do të hyjë, jo, në këtë qytet, kundër tij s'do të qesë shigjetë, kundër tij as shqyt s'do të kthejë, s'do të thellojë kanal rreth tij! 33 Rrugës nga erdhi ai do të zmbrapset, në këtë qytet këmba s'i shklet! Është kjo fjala që Zoti e flet. 34 Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim."

35 Po atë natë engjëlli i Zotit hyri në fushimin e asirëve dhe i vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë asirë. 36 Senakeribi, mbreti i Asirisë, bëri çojën dhe shkoi e u ndal në Ninivë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 48 (47),2-3ab.3cd-4.10-11 (fq. 710)

 

Ref. E madhe është, o Zot, dashuria jote për ne.

 

2 I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,

në qytetin e Hyjit tonë!

3 Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur,

gëzimi i mbarë botës.

 

Ref. E madhe është, o Zot, dashuria jote për ne.

 

Mali Sion, në veriun e skajshëm,

Qyteti i Mbretit të madh,

4 Hyji në pirgjet e tij

u tregua kështjellë e pathyeshme.

 

Ref. E madhe është, o Zot, dashuria jote për ne.

 

10 Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde

në mesin e Tempullit tënd.

11 Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote

arrin deri në skajin e botës,

e djathta jote është plot me të drejtë.

 

Ref. E madhe është, o Zot, dashuria jote për ne.

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush beson në mua do ta ketë dritën e jetës. (krh. Gjn 8, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 7, 6.12-14) (fq. 1391/2)

 

Gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t'i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë.«

12 Gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre! Ja, vërtetë Ligji e Profetët!«

13 »Hyni nëpër derë të ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë asish që kalojnë nëpër të! 14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak asish që e gjejnë!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 144, 15

 

Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.

 

Ose: Gjn 10, 11.15

 

Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Të përtërirë me fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

24 qershor

 

LINDJA E SHËN GJON PAGËZUESIT

 

E kremte

 

Mesha e vigjiljes

 

Kjo meshë përdoret në mbrëmjen e 23 qershorit, para ose pas Mbrëmësores së të kremtes.

 

Antifona e hyrjes Lk 1, 15.14

 

Ky do të jetë i madh para Zotit dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt qysh në kraharorin e së ëmës dhe shumë do t’i gëzohen lindjes së tij.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që familja jote të ecë udhës së shpëtimit nën udhëheqjen e shën Gjonit pararendës dhe të arrijë me siguri te Jezu Krishti, Zoti ynë, të cilin Gjoni e tregoi të pranishëm, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 1, 4-10) (fq. 1052)

 

Para se të të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë Profet

 

Në ditët e Jozisë mbretë 4 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: 5 “Para se të të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i popujve. 6 Përgjigjja: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!” 7 Por Zoti m’u përgjigj: Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’ Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj. 8 Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur, ‑ është fjala e Zotit.m9 Atëherë Zoti e shtriu dorën e vet, ma preku gojën time e më tha: “Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde. 10 Ja, sot po të vë përmbi popuj e përmbi mbretëri, për të çrrënjosur e për të rrënuar, për të shkatërruar e për të shpërndarë, për të ndërtuar e për të mbjellë.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 71 (70), 1-2.3-4a.5-6ab.15ab.17 (fq. 736)

 

Ref. Që nga kraharori i nënës ti, o Zot, je mbështetja ime.

 

1 Në ndore tënde, o Zot,

askurrë mos u turpërofsha.

2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde,

prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!

 

Ref. Që nga kraharori i nënës ti, o Zot, je mbështetja ime.

 

3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,

kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,

sepse ti je kështjella ime e strehimi im.

4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.

 

Ref. Që nga kraharori i nënës ti, o Zot, je mbështetja ime.

 

5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,

shpresa ime, o Zot, që prej rinisë sime.

6 Në ty jam mbështetur që prej kraharorit të nënës,

që prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im.

 

Ref. Që nga kraharori i nënës ti, o Zot, je mbështetja ime.

 

15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde,

gjithë ditën shpëtimin tënd.

17 Ti më ke mësuar, o Hyj, që prej rinisë sime

dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.

 

Ref. Që nga kraharori i nënës ti, o Zot, je mbështetja ime.

 

Leximi i dytë (1 Pjt 1, 8-12) (fq. 1710)

 

Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

 

Fort të dashur, 8 Jezu Krishtin e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, 9 që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.

10 Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët, të cilët e paralajmëronin hirin e caktuar për ju. 11 Shqyrtonin cila ishte koha dhe rrethanat, që shënonte Shpirti i Krishtit që ishte në ta, kur paralajmëronte mundimet që do t’i vuante Krishti dhe lavditë që do të vinin pas mundimeve. 12 Atyre u qe zbuluar se, jo për ta, por për ju, u treguan ato që tani juve u ungjillëzohen prej predikatarëve tuaj me anë të Shpirtit Shenjt të dërguar prej qiellit, të cilat edhe engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm. (Gjn 1, 7; Lk 1, 17)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 1, 5-17) (fq. 1458)

 

Gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha: “Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji me mirësi, o Zot, dhuratat e popullit tënd, që po t’i paraqet në festën e shën Gjon Pagëzuesit; e bëj që çka kremtojmë me sakrament, ta kryejmë me shërbim besnik. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Prefacioni: Misioni i Pararendësit.

 

Teksti pa notat:

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ne lavdërojmë madhërinë tënde

për më të madhin ndër ata që u lindën prej grash,

shën Gjonin Pagëzues, Pararendës.

Edhe para se të lindte, ai kërceu prej gëzimit

se po vinte shpëtimi i njerëzve

dhe në lindjen e vet solli gëzime të mëdha.

Ishte i vetmi ndër profetët që e tregoi Qengjin e shëlbimit.

Në ujërat që do të shenjtëroheshin

ai e pagëzoi themeluesin e Pagëzimit

dhe me derdhjen e gjakut të vet

i dha Krishtit më të lartën dëshmi.

Dhe prandaj, bashkë me fuqitë qiellore,

po të shpallim vazhdimisht mbi tokë

duke i brohoritur madhërisë sate pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Lk 1, 68

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.

 

Lutja pas kungimit

 

Pasi, o Zot, na ushqeve me gostinë qiellore, na shoqëroftë përherë lutja e shën Gjon Pagëzuesit: ai e tregoi Qengjin që do të na i shlyejë mëkatet; le të na nxjerrë prej Birit tënd faljen e mëkateve, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.