Leximet e ditës

24 qershor

 

LINDJA E SHËN GJON PAGËZUESIT

 

E kremte

 

MESHA E DITËS

 

Antifona e hyrjes Gjn 1, 6-7; Lk 1, 17

 

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar për të dëshmuar Dritën, që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e dërgove shën Gjon Pagëzuesin që ta përgatisë popullin për ardhjen e Krishtit Zot; dhuroja Kishës sate gëzimin shpirtëror dhe drejtoje shpirtin e të gjithë besimtarëve udhës së shpëtimit e të paqes. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 49, 1-6) (fq. 1030)

 

Të caktoj të jesh drita e popujve.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

1 Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im. 2 Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehu në kukurrën e vet 3 dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”

4 E unë thashë: “Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.”

 5 E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. 6 Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 139 (138), 1b-3.13-14a.14bc-15 (fq. 819)

 

Ref. Të falënderoj, o Zot, që me krijove kaq mrekullisht.

 

 

1 O Zot, ti më shqyrton e më njeh,

2 ti di kur rri e kur ngrihem,

prej së largu i njeh mendimet e mia.

3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,

ti i di të gjitha udhët e mia.

 

Ref. Të falënderoj, o Zot, që me krijove kaq mrekullisht.

 

13 Ti je ai që m’i krijove veshkat.

Ti më ke endur në kraharorin e nënës!

14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht.

 

Ref. Të falënderoj, o Zot, që me krijove kaq mrekullisht.

 

Të mrekullueshme janë veprat e tua.

14 Po, shpirti im mirë e di!

15 Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur

kur unë po trajtohesha në fshehtësi

i endur në thellësinë e tokës.

 

Ref. Të falënderoj, o Zot, që me krijove kaq mrekullisht.

 

Leximi i dytë (Vap 13, 22-26) (fq. 1564)

 

Gjoni predikoi para ardhjes së Krishtit.

 

Lexim prej Veprave të apostujve

 

Në ato ditë, (në sinagogën e Antiokisë së Pisidisë) Pali thoshte: 22 Hyji për mbret i ngriti Izraelit Davidin, për të cilin edhe dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithçka dua unë.’

23 Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. 24 Para ardhjes së Jezusit Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. 25 E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen, ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet.’ 26 Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju të tjerët që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët. (Lk 1, 76)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 1, 57-66.80) (fq. 1460/1)

 

Gjon është emri i tij!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të. 59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha: “Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën: “Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.” 62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën.  64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdrivillua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin. 65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të. 80 Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, po i kushtojmë dhuratat tona në altarin tënd për ta kremtuar si duhet lindjen e shën Gjonit, i cili parakallëzoi se do të vinte Shpëtimtari i botës edhe e tregoi të pranishëm, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Prefacioni: Misioni i Pararendësit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ne lavdërojmë madhërinë tënde

për më të madhin ndër ata që u lindën prej grash,

shën Gjonin Pagëzues, Pararendës.

Edhe para se të lindte, ai kërceu prej gëzimit

se po vinte shpëtimi i njerëzve

dhe në lindjen e vet solli gëzime të mëdha.

Ishte i vetmi ndër profetët që e tregoi Qengjin e shëlbimit.

Në ujërat që do të shenjtëroheshin

ai e pagëzoi themeluesin e Pagëzimit

dhe me derdhjen e gjakut të vet

i dha Krishtit më të lartën dëshmi.

Dhe prandaj, bashkë me fuqitë qiellore,

po të shpallim vazhdimisht mbi tokë

duke i brohoritur madhërisë sate pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Lk 1, 78

 

Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë na erdhi Dielli që lind prej së larti.

 

Lutja pas kungimit

 

Të përtërirë në gostinë e Qengjit qiellor, po të lutemi, o Zot, për Kishën tënde: ajo gëzon sot në lindjen e shën Gjon Pagëzuesit; bëj ta kuptojë se Krishti që e parakallëzoi Gjoni, është autori i rilindjes së saj. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.