Leximet e ditës
JAVA E XII GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9
Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.
Kolekta
Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Mbr 24, 8-17) (fq. 466/7)
Mbreti i Babilonisë e zuri rob Joakinin dhe të gjithë luftëtarët e fortë.
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
8 Joakini kishte tetëmbëdhjetë vjet kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem tre muaj. Nëna e tij quhej Nestë. Ishte bija e Elnatanit prej Jerusalemit. 9 Bëri ç'është e keqe para syve të Zotit gjithë si kishte vepruar edhe i ati.
10 Në atë kohë shërbëtorët e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, erdhën kundër Jerusalemit dhe e rrethuan qytetin. 11 Ndërsa shërbëtorët e tij po mbanin në rrethim qytetin, erdhi edhe vetë Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë ta sulmojë qytetin. 12 Atëherë Joakini, mbreti i Judesë, doli te mbreti i Babilonisë, ai, nëna e tij, oborrtarët e tij, prijësit e tij dhe zyrtarët e tij. Mbreti i Babilonisë e zuri rob në të tetin vit të mbretërimit të vet.
13 Sipas fjalës së Zotit Nabukodonozori mori prej andej të gjithë vishtarët e Shtëpisë së Zotit dhe vishtarët e pallatit mbretëror, i theu të gjitha enët e arta që i kishte punuar Salomoni, mbreti i Izraelit, për Tempullin e Zotit. 14 E shpërnguli me dhunë mbarë Jerusalemin, të gjithë krerët dhe të gjithë luftëtarët e fortë: dhjetë mijë veta të tretur bashkë me farkëtarë e me marangozë; mbeti vetëm populli i varfër i vendit.
15 Po ashtu shpërnguli me dhunë në Babilon edhe Joakinin, nënën e mbretit, gratë e mbretit, oborrtarët e tij, bujarët e vendit, të gjithë i treti syrgjyn prej Jerusalemit në Babiloni. 16 Të gjithë njerëzit e aftë, rreth shtatë mijë, po ashtu edhe farkëtarë e marangozë rreth një mijë, të gjithë luftëtarët: mbreti i Babilonisë i çoi robër në Babiloni.
17 Mbreti i Babilonisë e bëri mbret Mataninë në vend të Joakinit. Ishte ungji i Joakinit. Matanisë ia ndërroi emrin dhe e quajti Sedeci.
Fjala e Zotit
Psalmi 79 (78), 1b-2.3-5.8.9 (fq. 749)
Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.
1 O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde,
e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë,
Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
2 Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu
për ushqim shpendëve të qiellit,
mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.
3 Gjakun e tyre e derdhën si ujë
përreth Jerusalemit e s'kishte kush t'i varroste!
4 U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë,
përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
5 Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar?
Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.
8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
për nder të Emrit tënd e na çliro:
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.
Aleluja!
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 7, 21-29) (fq. 1392)
Shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb dhe shtëpia e ndërtuar mbi rërë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet ; 21 »Jo secili që më thotë: 'O Zot, o Zot!' do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. 22 Shumë do të më thonë atë ditë: 'O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?' 23 Atëherë unë do t'ju them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o bakëqij!«
24 »Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!«
28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, 29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 144, 15
Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ose: Gjn 10, 11.15
Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të përtërirë me fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.