Leximet e ditës
JAVA E XII GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9
Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.
Kolekta
Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Mbr 25, 1-12) (fq. 470)
Juda u përzu prej tokës së vet.
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
1 Të nëntin vit të mbretërimit të Sedecisë, në muajin e dhjetë, të dhjetën ditë të muajit, Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, erdhi me tërë ushtrinë e vet para Jerusalemit. E rrethuan në çdo anë dhe u fortifikuan në rrethim. 2 Qyteti mbeti i rrethuar dhe i mbyllur deri në të njëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Sedecisë.
3 Të nëntën ditë të muajit të katërt u bë uri e madhe, saqë populli i thjeshtë s'kishte as bukë të thatë. 4 U hap një vrimë në qytet. Atëherë të gjithë luftëtarët ikën e dolën prej qytetit natën nëpër një derë që është nën murin e dyfishtë te kopshti i mbretit, megjithëse kaldenjtë e mbanin rrethimin ngado përreth. Ikën, pra, dhe morën rrugën drejt Arabës.
5 Ushtria e kaldenjve e ndoqi pas mbretin dhe e zunë në fushën e Jerihonit, sepse mbarë ushtria e tij u kthye e iku duke e lënë mbretin vetëm. 6 Pasi e kapën, pra, mbretin, e sollën në Reblë, te mbreti i Babilonisë. Ky edhe i caktoi dënimin: 7 djemtë ia vrau ndër sy të tij, pastaj Sedecisë ia nxori sytë, e lidhi në zinxhirë të bronztë dhe i çoi në Babiloni.
8 Në të pestin muaj, të shtatën ditë të muajit, të të nëntëmbëdhjetit vit të mbretërimit të mbretit të Babilonisë, Nabusardani, komandanti i rojës trupore, shërbëtori i mbretit të Babilonisë, erdhi në Jerusalem. 9 Dogji Shtëpinë e Zotit, pallatin e mbretit dhe të gjitha shtëpitë e Jerusalemit: me zjarr dogji çdo shtëpi. 10 Mbarë ushtria e kaldenjve që ishte me komandantin e rojës trupore, i rrëzoi muret rrethuese të Jerusalemit.
11 Nabusardani, kryetari i rojës trupore, e shpërnguli me dhunë pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur ende në qytet si dhe tradhtarët që kishin kaluar në anën e mbretit të Babilonisë, dhe mbarë popullin tjetër. 12 La vetëm disa prej popullit të varfër si vreshtarë e bujq.
Fjala e Zotit
Psalmi 137 (136),1-2.3.4-5.6 (fq. 871)
Ref. Në tokën e mërgimit e këndojmë këngën tonë.
1 Mbi lumenj të Babilonit,
atje rrinim e lotonim
duke sjellë në mend Sionin.
2 Në shelgje, në mes të tij,
harpat tona në gem i varëm.
Ref. Në tokën e mërgimit e këndojmë këngën tonë.
3 Shi atje shpërngulësit tanë
t'u këndojmë prej nesh kërkuan,
të gëzohemi shtypësit urdhëronin:
"Na i këndoni këngët e Sionit!"
Ref. Në tokën e mërgimit e këndojmë këngën tonë.
4 Po si mund t'i këndojmë
këngët e Zotit në dhe të huaj?
5 Oh, m'u thaftë-o krahu mua,
Jerusalem për në të harrofsha.
Ref. Në tokën e mërgimit e këndojmë këngën tonë.
6 Për qiellzë gjuha m'u kaptë mua,
të të kujtoj ty nëse unë pushofsha,
në mos e vënça Jerusalemin
mbi të gjitha gëzimet e mia!
Ref. Në tokën e mërgimit e këndojmë këngën tonë.
Aleluja!
Krishti i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona (krh. Mt 8, 17)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 8, 1-4) (fq. 1392/3)
Nëse ti do, mund të më shërosh.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli. 2 Dhe ja, një gërbulan iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: »O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.«
3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: »Dua, shëndoshu!« Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij.
4 Jezusi i tha: »Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që e ka urdhëruar Moisiu, t'u vlejë atyre për dëshmi.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 144, 15
Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ose: Gjn 10, 11.15
Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të përtërirëme fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.