Leximet e ditës

JAVA E XII GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 27, 8-9

 

Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, priju dhe ngriji deri në amshim.

 

Kolekta

 

Bëj, o Zot, ta druajmë dhe njëkohësisht ta duam emrin tënd, sepse kurrë nuk ua braktis drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vaj 2, 2.10-14.18-19) (fq. 1128)

 

I brohoritnin Zotit virgjërat e Jerusalemit.

 

Lexim prej Librit të Vajtimeve

 

2 Zoti i shkretoi pa mëshirë mbarë kullosat e Jakobit; i rrafshoi në felgrim të vet fortesat e Bijës së Judës; për tokë e rrëzoi, e mallkoi mbretërinë e krerët e saj!

10 Rrinë në pluhur e heshtojnë pleqtë e Bijës së Sionit, me pluhur e pluhuruan kokën e u ngjeshën me grathore; për tokë ulin kryet e vet virgjërat e Jerusalemit!

11 Sytë e mi prej lotësh u verbuan, u përzien përbrendësat e mia; u derdh për tokë melçia ime se u shkatërrua bija e popullit tim, ndërsa meket foshnja dhe ferishtja nëpër sheshet e Qytetit. 12 U thoshin nënave të veta: "Ku është drithi, ku është vera?" E mekeshin si të plagosur nëpër rrugët e Qytetit e shpirti atyre u dilte n'prehrin e nënave të veta.

13 Me kë të krahasoj? Kujt të them se i përngjan, o Bija e Jerusalemit? Më kë të të barazojë për të të ngushëlluar, Bukuroshja Bijë e Sionit? I madh si deti është rrënimi yt, kush mund të të sjellë shërim?

14 Profetët e tu për ty vagëlluan të rreme e të marra; s'ta zbulonin fajësinë tënde, që ta ndërronin fatin tënd, por të treguan profeci trillimesh, rrene e edhe ngashënjimi.

18 T'i klithë Zotit zemra jote përmbi muret e Bijës së Sionit, lër rrëke le të derdhen lotët ditë e natë! Mos i jep pushim vetvetes, të mos përpiqen qepallat e syrit tënd!

19 Ngrihu e natën gjëmo kur fillon turni i rojës, zbraze si ujët zemrën tënde përpara fytyrës së Zotit! Lartësoj drejt tij duart e tua, kërko ndihmë për foshnjat tua që po meken nga uria në krye të të gjitha udhëve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 74 (73),1b-2.3-5.6-7.20-21 (fq. 741)

 

Ref. Mos e harro, o Zot, jetën e të varfëve të tu.

 

1 Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim,

të ndizet flakë zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?

2 Le të bjerë në mend bashkësia jote që e fitove qysh në fillim,

fisi që e bëre pronë për vete

dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.

 

Ref. Mos e harro, o Zot, jetën e të varfëve të tu.

 

3 Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme,

- gjë s'la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!

4 Armiqtë e tu ulërijnë midis kuvendit tënd,

i vunë shenjat e veta për shenja!

 

Ref. Mos e harro, o Zot, jetën e të varfëve të tu.

 

5 Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë,

6 Me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tija.

7 Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde,

të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.

 

Ref. Mos e harro, o Zot, jetën e të varfëve të tu.

 

20 Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde,

sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.

21 Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar:

i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!

 

Ref. Mos e harro, o Zot, jetën e të varfëve të tu.

 

Aleluja!

Krishti i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona (krh. Mt 8, 17)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 8, 5-17) (fq. 1393)

 

Do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 5 kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut: 6 » Zotëri, shërbëtori im është ratë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.« 7 Jezusi i tha: »Do të vij dhe do ta shëroj.« 8 Por centurioni i përgjigj: »O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e do të shërohet shërbëtori im. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, por një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: 'Shko!' dhe ai shkon e një tjetri: 'Eja!' dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: 'Bëje këtë!' dhe ai e bën«

10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas: »Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit, 12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.« 13 Atëherë i tha centurionit: »Shko e le të bëhet ashtu siç besove!« Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit ratë ndër ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua e i shërbeu.

16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurit, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë: »Ai mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit dhe të lavdit dhe bëj që ajo të na pastrojë prej mëkateve, e kështu mbarë jeta jonë t’u pëlqejë syve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 144, 15

 

Sytë e të gjithëve, o Zot, shpresojnë në ty, Ti u jep ushqim në kohën e duhur.

 

Ose: Gjn 10, 11.15

 

Unë jam Bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e mia, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Të përtërirë me fuqinë e Trupit të shenjtë dhe të Gjakut të paçmueshëm, po i lutemi mirësisë sate, o Zot, bëj që me pjesëmarrjen në këto mistere të arrijmë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.