Leximet e ditës

JAVA E XIII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 46, 2

 

Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që, në saje të birësimit, të jemi bij të dritës: mos lejo kurrë të na zotërojë errësira e gabimit, por bëj të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Mbr 4, 8-11.14-16a) (fq. 440)

 

Ky njeri është vërtetë njeri i Hyjit, njeri i shenjtë: le të rrijë këtu!

 

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

 

8 Një ditë ndodhi që Elizeu kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. 9 Ajo i tha burrit të vet: "Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë. 10 Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosin në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje."

11 Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty. 14 Elizeu e pyeti shërbëtorin e vet Gjiezin: "Po ç'dëshiron që të bëj për të?" E Gjiezi tha: "E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar." 15 Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. 16 Elizeu i tha: "Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde!"

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 89 (88),2-3.16-17.18-19 (fq. 759)

 

Ref. Përgjithmonë do t'i këndoj dashurisë sate, o Zot.

 

2 Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime

do të shpallë besnikërinë tënde.

3 Sepse the: "Hiri im qëndron për amshim",

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

Ref. Përgjithmonë do t'i këndoj dashurisë sate, o Zot.

 

16 Lum ai popull që di të brohoritë,

që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

17 Përherë do të gëzojë në Emër tënd,

e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Ref. Përgjithmonë do t'i këndoj dashurisë sate, o Zot.

 

18 Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre

e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

19 Sepse i Zotit është shqyti ynë,

mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Ref. Përgjithmonë do t'i këndoj dashurisë sate, o Zot.

 

Leximi i dytë (Rom 6, 3-4.8-11) (fq. 1595)

 

Më anë të pagëzimit, jemi varrosur bashkë me Krishtin në vdekje që të jetojmë në jetën e re.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 3 po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne jetojmë në jetën e re.

8 E nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të.

10 Vdekja e tij qe vdekja njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbani veten të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, shpallni veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. (1 Pj 2, 9)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 10, 37-42) (fq. 1397)

 

Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush iu pranon ju më pranon mua.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 37 Kush e do atin e t'ëmën me shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua!

39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë.«

40 »Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua.

41 Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. 42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t'i humbë shpërblimi!«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti vepron me anën e sakramenteve të tua: bëj, po të lutemi, që shërbesa jonë të jetë e denjë për këtë fli të shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 102, 1

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe krejt qenia ime emrin e tij të shenjtë.

 

Ose: Gjn 17, 20-21

 

Atë, për ta po të lutem, që të jenë një në ne, që të besojë bota se Ti më ke dërguar, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na përtëriftë në jetë, po të lutemi, o Zot, flia hyjnore që ta kushtuam dhe e morëm, kështu që, të bashkuar përherë me ty në dashuri, të japim fryte të qëndrueshme për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.