Leximet e ditës
29 qershor
SHËN PJETRI E SHËN PALI APOSTUJ
E kremte
MESHA E VIGJILJES
Kjo meshë përdoret në mbrëmjen e 28 qershorit, para ose pas Mbrëmësores së të kremtes.
Antifona e hyrjes
Pjetri apostull e Pali mësuesi i popujve na mësuan ligjin tënd, o Zot.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Zot, Hyji ynë, Ti ia dhe Kishës sate të mirat e para të fesë së Krishtit nëpër apostujt e shenjtë Pjetrin e Palin; bëj që, me ndërmjetësinë e tyre, t’i fitojmë prej teje ndihmat e domosdoshme për shpëtimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 3, 1-10) (fq. 1548)
Po të jap çka kam, në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!
Lexim prej Veprave të apostujve
1 Në ato ditë, Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë. 2 Pikërisht atëherë po sillnin një njeri të çalë që prej lindjes.
Atë e sillnin përditë te dera e Tempullit, te ajo që quhet “E bukura” për të lypur lëmoshë prej atyre që hynin në Tempull. 3 Ai, kur pa Pjetrin e Gjonin duke hyrë në Tempull, lypi (për të marrë) lëmoshë. 4 Pjetri atëherë, bashkë me Gjonin, ia nguli sytë dhe i tha: “Na shiko!”
5 Ai po i vërente me kujdes duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë. 6 Atëherë Pjetri i tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!” 7 E kapi për dore të djathtë dhe e ngriti në këmbë.
Aty për aty iu forcuan këmbët dhe nyjet; 8 kërceu, u drejtua, filloi të ecë dhe hyri në Tempull: ecte, kërcente dhe lavdëronte Hyjin.
9 Mbarë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Hyjin. 10 E njohën se ishte ai që ndenjur para derës “Së bukur” të Tempullit lypte lëmoshë dhe mbetën shtang të hutuar prej mrekullisë dhe prej habisë për çka i ndodhi atij.
Fjala e Zotit
Psalmi 19 (18), 2-3.4-5 (719)
Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë tokën.
2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë tokën.
4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,
po as zë që do të mund të dëgjohet,
5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Ref. Zëri i tyre u përhap në mbarë tokën.
Leximi i dytë (Gal 1, 11-20) (fq. 1540)
Zoti më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës sime.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; 12 sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti. 13 Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë 14 e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim. 15 Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu 16 ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri 17 e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask.
18 E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. 19 Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë.
20 Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Zotëri, ti di gjithçka, ti e di se të dua! (Gjn 21, 17)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 21, 15-19) (fq. 1543)
Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë kur Jezusi ju dëftua nxënësve të vet te deti i Tiberiadit, 15 pasi hëngrën mëngjesin, e pyeti Simon‑Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.
16 Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri. “Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi.
17 I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe iu përgjigj: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia!” 18 Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.” 19 I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Po i sjellim këto kushte mbi altarin tënd, o Zot, në festën e shenjtërve apostuj Pjetrit e Palit dhe të lutemi që, në dobësinë e meritave tona, ta sprovojmë mirësinë tënde për shpëtimin tonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Prefacioni: Misioni i dyfishtë i Pjetrit e i Palit në Kishë
Teksti pa notat:
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse Ti deshe t’i nderojmë me gëzim
shenjtërit apostuj Pjetrin e Palin:
Pjetri prijësi ynë në dëshmimin e fesë
e Pali mjeshtri i qartë i fesë;
i pari prej tepricës së Izraelit e ndërtoi Kishën fillestare,
i dyti u bë mësues i popujve që i grishi në Kishë.
Dhe mbasi secili, sipas dhuratës së vet,
kanë mbledhur familjen e vetme të Krishtit,
tani bashkëndajnë të njëjtën kurorë
e gëzojnë po të njëjtin nderim.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Krh. Gjn 21, 15.17
Simon, i biri i Gjonit, a më do më shumë se këta? O Zot, Ti di gjithçka, Ti e di se të dua.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ke shndritur besimtarët e tu me mësimin e apostujve, përforcoji tani me fuqinë e sakramenteve qiellore. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 518
MESHA E DITËS
Antifona e hyrjes
Këta janë njerëz që, në jetën e tyre, e mbollën Kishën me gjakun e vet: e pinë kelkun e Zotit dhe u bënë miqtë e Hyjit.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Zot, Ti do që me gëzim të shenjtë dhe të nderuar të kremtojmë festën e apostujve Pjetrit e Palit: jepi Kishës sate të ndjekë me besnikëri mësimin e tyre, pasi prej tyre ajo e mori lajmin e parë të fesë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 12, 1-11) (fq. 1562)
Tani me të vërtetë po e di se Zoti më shpëtoi nga dora e Herodit.
Lexim prej Veprave të apostujve
1 Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. 2 Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. 3 E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin (ishin ditët e Bukëve të pabrume). 4 E pasi e kapi, e futi në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që pas pashkëve ta qesë para popullit. 5 Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por lutja e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të.
6 Atë natë, para ditës që Herodi kishte caktuar ta nxirrte para popullit, Pjetri flinte mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun.
7 Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. 8 Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Vishe petkun tënd dhe eja pas meje!” 9 Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim.
10 Kaluan rojën e parë edhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij. 11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej gjithçka që priste populli i judenjve.”
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 2-3.4-5.6-7.8-9. (fq. 693)
Ref. Zoti më liroi nga çdo frikë që pata.
Ose:
Ref. Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.
Ref. Zoti më liroi nga çdo frikë që pata.
Ose:
Ref. Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Ref. Zoti më liroi nga çdo frikë që pata.
Ose:
Ref. Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Ref. Zoti më liroi nga çdo frikë që pata.
Ose:
Ref. Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Ref. Zoti më liroi nga çdo frikë që pata.
Ose:
Ref. Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.
Leximi i dytë (2 Tim 4, 6-8.17-18) (fq. 1682)
Që tani më pret gati kurora e drejtësisë.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, 6 sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! 7 Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. 8 Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.
17 Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve.
18 Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!
Fjala e Zotit
Aleluja!
Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! (Mt 16, 18)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 16, 13-19) (fq. 1406)
Ti je Pjetër; ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së Qiellit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
13 »Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: »Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?« 14 Ata përgjigjën: »Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.«
15 »Po ju - u tha atyre - ç’thoni: kush jam unë?« 16 I përgjigji Simon Pjetri: »Ti je Mesia - Biri i Hyjit të gjallë!«
17 Atëherë Jezusi i tha: »I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! 19 Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
E përcjelltë, o Zot, urata e apostujve flinë që po ta paraqesim; ajo na bëftë më të përkryer para teje për ta kremtuar këtë fli. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Prefacioni: Misioni i dyfishtë i Pjetrit e i Palit në Kishë
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse Ti deshe t’i nderojmë me gëzim
shenjtërit apostuj Pjetrin e Palin:
Pjetri prijësi ynë në dëshmimin e fesë
e Pali mjeshtri i qartë i fesë;
i pari prej tepricës së Izraelit e ndërtoi Kishën fillestare,
i dyti u bë mësues i popujve që i grishi në Kishë.
Dhe mbasi secili, sipas dhuratës së vet,
kanë mbledhur familjen e vetme të Krishtit,
tani bashkëndajnë të njëjtën kurorë
e gëzojnë po të njëjtin nderim.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Krh. Mt 16, 16.18
Pjetri i tha Jezusit: Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë. Jezusi iu përgjigj: Ti je Pjetër, Shkëmb, dhe mbi këtë Shkëmb do ta ndërtoj Kishën time.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me këtë sakrament, të lutemi, o Zot,
bëj që në Kishën tënde
të marrim pjesë vazhdimisht në ndarjen e bukës
e të pranojmë mësimin e apostujve
që të rrimë të bashkuar në dashuri
me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 518
Për meshë kushtimore të shën Pjetrit dhe shën Palit, fq. 991 ose fq. 992.