Leximet e ditës

JAVA E XIII GJATË VITI

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Ps 46, 2

 

Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që, në saje të birësimit, të jemi bij të dritës: mos lejo kurrë të na zotërojë errësira e gabimit, por bëj të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

  

Leximi i parë (Am 3, 1-8; 4, 11-12) (fq. 1254/5/6)

 

Zoti Hyj foli: kush mund të mos profetizojë?

 

Lexim prej Librit të Amosit profet

 

1 Dëgjojeni këtë fjalë që Zoti e tha në lidhje me ju, bijtë e Izraelit, dhe në lidhje me të gjitha vëllazëritë, që i nxora nga dheu i Egjiptit. Thotë: »Vetëm juve ju zgjodha nga të gjitha fiset e tokës, prandaj do t’ju ndëshkoj për të gjitha fajësitë tuaja. A udhëtojnë, vallë, dy vetë së bashku po qe se nuk bien në përkim?Vallë, ulërin në pyll luani po qe se pre nuk ka? Lëshon zë luanthi në strofull në qoftë se zënë nuk ka asgjë? A thua bie shpendi në tokë në qoftë se qitur s’i është laku? A thua shkrehet nga toka kurthi para se të ketë zënë ndonjë send? Bie boria, vallë, në qytet e populli nuk kushtrimohet? Fatkeqësi thua vjen në qytet që shkaktuar të mos jetë prej Zotit? Zoti Hyj në të vërtetë gjë s’bën pa ua pasur zbuluar synimin shërbëtorëve të vet, profetëve. Ulërin luani, kush nuk trembet? Foli Zoti Perëndi: kush të mos profetizojë? 4, 11 »Ju shpartallova sikur Hyji i shpartalloi Sodomën e Gomorën e u bëtë porsi una e nxjerrë nga zjarri, por ju tek unë s’u kthyet!«, - është fjala e Zotit. 12 »Prandaj, kështu do të sillem me ty, Izrael! Pasi kështu duhet të të bëj ty, bëju gati, o Izrael, t’i dalësh përballë Hyjit tënd!«

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 5, 4b-6a.6b-7.8 (fq. 662)

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e drejtësisë.

 

5 Ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia,

pranë teje nuk ka vend bakeqi,

6 bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e drejtësisë.

 

7 Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq

i zhbin të gjithë ata që flasin rrena;

Të neverit gjakësori e tradhtari.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e drejtësisë.

 

8 E unë në saje të dashurisë sate të madhe

do të hyj në Shtëpinë tënde,

do të bie përmbys me nderim

në Tempullin tënd të shenjtë.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e drejtësisë.

 

Aleluja!

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij. (Ps 130, 5)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 8, 23-27) (fq. 1394)

 

U urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 23 Jezusi si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: »Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!« 26 »Pse po frikësoheni, o fepakët? - u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: »Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti vepron me anën e sakramenteve të tua: bëj, po të lutemi, që shërbesa jonë të jetë e denjë për këtë fli të shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 102, 1

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe krejt qenia ime emrin e tij të shenjtë.

 

Ose: Gjn 17, 20-21

 

Atë, për ta po të lutem, që të jenë një në ne, që të besojë bota se Ti më ke dërguar, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na përtëriftë në jetë, po të lutemi, o Zot, flia hyjnore që ta kushtuam dhe e morëm, kështu që, të bashkuar përherë me ty në dashuri, të japim fryte të qëndrueshme për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.