Leximet e ditës

JAVA E IX GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18

 

Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.

 

Kolekta

 

O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Tim 4, 1-8) (fq. 1682)

 

Kryeje mirë detyrën tënde që e ke si predikues i Ungjillit.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

Fort i dashur! 1 Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash Ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij: 2 predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim!

3 Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; 4 do t'i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t'i sjellin drejt përrallave. 5 Ti veç rri zgjuar në çdo gjë me kujdes, duroj të vështirat, kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde!

6 Sa për mua - gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! 7 Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. 8 Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 71 (70), 8-9.14-15ab.16-17.22 (fq. 736)

 

Ref. Do t’i këndoj shëlbimit tënd, o Zot.

 

8 Goja ime të lavdëron pa pushim,

gjithë ditën të madhëron.

9 Mos më lësho dore në pleqëri,

kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.

 

Ref. Do t’i këndoj shëlbimit tënd, o Zot.

 

14 E unë gjithmonë do të shpresoj në ty

e unë do t'i shumoj gjithnjë lavdet e tua.

15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde,

gjithë ditën shpëtimin tënd:

që s'di të ketë masë në madhëri.

 

Ref. Do t’i këndoj shëlbimit tënd, o Zot.

 

16 Do ta shpall pushtetin e Zotit,

o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.

17 Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime

dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.

 

Ref. Do t’i këndoj shëlbimit tënd, o Zot.

 

22 Kështu edhe vetë do të të lavdëroj,

me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde,

me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!

 

Ref. Do t’i këndoj shëlbimit tënd, o Zot.

 

Aleluja!

Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (Mt 5, 3)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 12, 38-44) (fq. 1448/9)

 

Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 38 Jezusi në tempull iu drejtua trumës dhe u tha: »Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t'i përshëndesin tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40 Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!«

41 Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.

43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: »Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6

 

Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.

 

Ose: Mk 11, 23.24

 

Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.