Leximet e ditës

JAVA E XIII GJATË VITI

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Ps 46, 2

 

Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që, në saje të birësimit, të jemi bij të dritës: mos lejo kurrë të na zotërojë errësira e gabimit, por bëj të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Am 5, 14-15.21-24) (fq. 1257)

 

Ma largoni zhurmën e këngëve tuaja: le të rrjedhë drejtësia si lumi që nuk shteret.

 

Lexim prej Librit të Amosit profet

 

Kështu thotë Zoti: 14 Kërkoni të mirën e jo të keqen që të jetoni, kështu që me ju të jetë, siç thoni, Zoti, Hyji i Ushtrive. 15 Urreni të keqen, doni të mirën e rikthejeni në gjykatore të drejtën, ndoshta Zoti, Hyji i Ushtrive, do të ketë dhimbë për tepricë të Jozefit.

21 Kështu thotë Zoti: "I urrej, i përbuz festimet tuaja, nuk u kënaqem të kremteve tuaja! 22 Po dhe në më kushtofshi fli shkrumbimi, kushtimoret tuaja s'i pranoj, as që i këqyr flitë e majme për pajtim. 23 Ma largoni zhurmën e këngëve tuaja, s'dua të ndjej zërin e lirave tuaja! 24 Më mirë të rrjedhë si uji e drejta, si lumi që s’shteret drejtësia.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 50 (49),7.8-9.10-11.12-13.16bc-17 (fq. 713)

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

7 "Dëgjo, populli im, dua të flas,

o Izrael, dëshmoj kundër teje:

unë Hyji jam Hyji yt!

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

8 Nuk të qortoj për flitë e tua,

flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

9 S'do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat,

as cjap prej tufave të tua.

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

10 Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat,

me mijëra kafshë në malet e mia.

11 I njoh të gjithë shpendët e ajrit

dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

12 Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha:

imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.

13 Pse, a thua unë ha mish mëzetërish

e pi gjak cjepsh?

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

16"Si guxon ti t'i shtjellosh urdhërimet e mia?

Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

17 kur ti e urren disiplinën,

pas shpine i hedh urdhrat e mi?

 

Ref. Atij që ecën udhës së drejtësisë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.

 

Aleluja!

Ai na lindi në saje të vullnet të vet, nëpër fjalën e së vërtetës, që të jemi njëfarë fryti të parë të krijesave të tija. (krh. Jak 1, 18)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 8, 28-34) (fq. 1394)

 

A erdhe këtu të na mundosh para kohës?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

28 Në atë kohë, pasi Jezusi kaloi në bregun tjetër - në krahinën e Gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s'guxonte të kalojë asaj rruge. 29 Dhe ja, bërtitën: »Çkado prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?«

30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe thish. 31 Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit: »Nëse po na dëbon, na ço në tufën e thive!«32 Ai u tha: »Shkoni!« Ata dolën e hynë në thi. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë.

33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. 34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti vepron me anën e sakramenteve të tua: bëj, po të lutemi, që shërbesa jonë të jetë e denjë për këtë fli të shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 102, 1

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe krejt qenia ime emrin e tij të shenjtë.

 

Ose: Gjn 17, 20-21

 

Atë, për ta po të lutem, që të jenë një në ne, që të besojë bota se Ti më ke dërguar, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na përtëriftë në jetë, po të lutemi, o Zot, flia hyjnore që ta kushtuam dhe e morëm, kështu që, të bashkuar përherë me ty në dashuri, të japim fryte të qëndrueshme për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.