Leximet e ditës

3 korrik

 

SHËN TOMA, APOSTULL

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 117, 28.21

 

Ti je Hyji im, ty të këndoj lavde, Ti je Hyji im, ty të lartësoj, ty të falënderoj, sepse je bërë Shpëtimtari im.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ta kremtojmë me gëzim festën e shën Tomës apostull, që, me ndërmjetësinë e tij e në saje të fesë, ta kemi jetën në emër të Krishtit, të cilin ai e dëshmoi për Zot, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ef 2, 19-22) (fq. 1648/9)

 

Jemi të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

Vëllezër, 19 nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi.

21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 117 (116), 1.2 (fq. 795)

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

1 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,

madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

2 Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh,

besnikëria e Zotit qëndron për amshim!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

Aleluja!

Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë! (Gjn 20, 29)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 20, 24-29) (fq. 1542)

 

Zotëria im dhe Hyji im!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

24 Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me apostuj kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”

Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdëve; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”

26 Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”28 Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”

29 Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, kushtin e shërbesës sonë, e po të lutemi me përvujtëri: ruaji në ne dhuratat e tua që po t’i paraqesim si fli lavdi në festën e shën Tomës apostull. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Gjn 20, 27

 

Shtjere dorën tënde e shihi vendet e gozhdëve: mos ji njeri që nuk beson, por besimtar.

 

Lutja pas kungimit

 

Në këtë sakrament, o Zot, marrim vërtet Korpin e një të vetmit Birit tënd: bashkë me shën Tomën dëshmojmë se Krishti është Zoti dhe Hyji ynë; bëj ta dëshmojmë atë me vepra dhe me tërë jetën tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519.

 

4 korrik

 

Shën Elizabeta e Portugalisë

 

Përbashkorja për shenjtër: për ata që kanë ushtruar vepra dashurie (fq. 806).

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 144, 10-11

 

Le të të lëvdojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua dhe le të të bekojnë të gjithë shenjtërit e tu: le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate, le të flasin për pushtetin tënd (K.P. aleluja).

 

Kolekta

 

O Hyj, burimi i paqes e dashamiri i bamirësisë, Ti e pajise shën Elizabetën me hir të veçantë për t’i pajtuar ata që ishin në ngatërresë; bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, të ushtrojmë veprimtarinë e paqes që të mund të quhemi bij të tu. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji me mirësi, o Zot, lutjet tona e na ruaj me ndërmjetësinë e shën Elizabetës që t’i shërbejmë denjësisht altarit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 67, 4

 

Le të gëzojnë të drejtët në praninë e Hyjit, le të galdojnë me hare (K.P. aleluja).

 

Ose: Lk 12, 37

 

Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet e do t’u shërbejë (K.P. aleluja).

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, Ati i çdo ngushëllimi dhe i paqes, bëj që familja jote e bashkuar në kremtimin e shën Elizabetës për të lavdëruar emrin tënd, të nxjerrë prej kungimit të shenjtë të Birit tënd pengun e shëlbimit të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.