Leximet e ditës
JAVA E XIII GJATË VITI
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Ps 46, 2
Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi.
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që, në saje të birësimit, të jemi bij të dritës: mos lejo kurrë të na zotërojë errësira e gabimit,
por bëj të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Am 9, 11-15) (fq. 1260)
Do t’i kthej të treturit e popullit tim nga skllavëria, e do t’i ngulis në truallin e tyre.
Lexim prej Librit të Amosit profet
Kështu thotë Zoti: 11 “Po atë ditë, do ta ngre kasollen e Davidit që u rrëzua, do t’i ndreq plasjet e saj, e çka u rrëzua në të, do ta ndërtoj, do ta ndreq si në ditë të dikurshme, 12 me qëllim që të pushtojnë tepricën e Edomit dhe të gjitha kombet mbi të cilat u thirr emri im ‑ thotë Zoti që i zbaton këto. 13 Ja, po vijnë ditët, ‑ thotë Zoti, kur lavërtari do ta zërë korrtarin e shtrydhësi i rrushit farëhedhësin: musht do të pikojnë malet e do të rrjedhin të gjitha kodrat. 14 Do t’i kthej të treturit e popullit tim Izraelit nga skllavëria ; do t’i rindërtojnë qytetet e rrënuara e në to do të banojnë, do të mbëltisin vreshta e do ta pinë verën e tyre, do të punojnë kopshtet e do t’i hanë prodhimet e tyre. 15 Do t’i ngulis në truallin e tyre, e s’do të shpërngulen më nga toka e tyre që ua dhurova!”
Fjala e Zotit
Psalmi 85 (84), 9ab.10.11-12.13-14 (fq. 755)
Ref. Zoti premton paqe për popullin e vet.
9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
10 Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
Ref. Zoti premton paqe për popullin e vet.
11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
12 E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
Ref. Zoti premton paqe për popullin e vet.
13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
14 Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
Ref. Zoti premton paqe për popullin e vet.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Ungjilli (Mt 9, 14-17) (fq. 1395)
A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë dhëndri me ta?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 14 arritën nxënësit e Gjonit dhe i thanë Jezusit: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
15 Jezusi u përgjigj: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë. 16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe. 17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re qitet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti vepron me anën e sakramenteve të tua: bëj, po të lutemi, që shërbesa jonë të jetë e denjë për këtë fli të shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 102, 1
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe krejt qenia ime emrin e tij të shenjtë.
Ose: Gjn 17, 20-21
Atë, për ta po të lutem, që të jenë një në ne, që të besojë bota se Ti më ke dërguar, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Na përtriftë në jetë, po të lutemi, o Zot, flija hyjnore që ta kushtuam dhe e morëm, kështu që, të bashkuar përherë me ty në dashuri, të japim fryte të qëndrueshme për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.