Leximet e ditës

JAVA E XIV GJATË VITI

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11

 

E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Oz 2, 16.17b-18.21-22) (fq. 1233/4)

 

Do të të bëj fatin tim të përhershëm.

 

Lexim prej Librit të Ozesë profet

 

Kështu thotë Zoti: 16 Vetë do ta josh atë, do ta shpie në shkretëtirë e do t'i flas zemrës së saj. 17 Atje ajo do të përgjigj porsi në ditët e rinisë së vet, porsi në ditët kur pati dalë prej tokës së Egjiptit! 18 E do të ndodhë po shi atë ditë - është fjala e Zotit, ti do të më thërrasësh: 'Burri im', e s'do të më quash: 'Baali im'. 21 Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të të fejoj në drejtësi e në të drejtë, me dhembshuri e dashuri. 22 Do të të fejoj në besnikëri e ti Zotin do ta njohësh!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 145 (144), 2-3.4-5.6-7.8-9 (fq. 825)

 

Ref. Do t’i këndoj përgjithmonë besnikërisë sate, o Zot.

 

2 Çdo ditë do të të bekoj

dhe do ta lavdëroj Emrin tënd

3 Zoti është i madh e i lavdërueshëm,

e pashqyrtueshme është madhëria e tij!

 

Ref. Do t’i këndoj përgjithmonë besnikërisë sate, o Zot.

 

4 Breznia breznisë do t'ia tregojë veprat e tua

dhe do ta shpallin pushtetin tënd.

5 Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,

do t'i tregojnë mrekullitë e tua.

 

Ref. Do t’i këndoj përgjithmonë besnikërisë sate, o Zot.

 

6 Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,

do t'i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.

7 Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe,

do t'i brohorisin drejtësisë sate.

 

Ref. Do t’i këndoj përgjithmonë besnikërisë sate, o Zot.

 

8 Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

9 Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

 

Ref. Do ti këndoj përgjithmonë besnikërisë sate, o Zot.

 

Aleluja!

Shëlbuesi ynë Jezu Krishti e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndris jeta me anë të Ungjillit (krh. 2 Tim 1, 10)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 9, 18-26) (fq. 1395)

 

Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja dhe ajo do të ngjallet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 18 ndërsa Jezusi ende po mësonte, qe se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: »Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.« 19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.

20 Kur qe, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut tash dymbëdhjetë vjet, iu afrua mbas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, 21 sepse thoshte në vete: »Do të shërohem nëse ia preku vetëm petkun e tij! 22 Jezusi u suall, e pa dhe i tha: »Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!« Dhe gruaja u shërua në atë moment.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë,24 u tha: »Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.« Ata e përqeshën. 25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 33, 9

 

Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.

 

Ose: Mt 11, 28

 

Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.