Leximet e ditës
JAVA E XIV GJATË VITI
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Oz 8, 4-7.11-13) (fq. 1259/60)
Pasi mbjellin erë, stuhi do të korrin.
Lexim prej Librit të Ozesë profet
Kështu thotë Zoti: 4 vunë mbretër pa dijen time, princa vunë e mua s'më pyetën. Me argjend e me ar të vet punuan idhuj për vete që të sharronin. 5 Samari, viçin tënd e përbuza! Kundër tyre flakë u ndez furia ime! Deri kur s'do të mund të pastrohen? 6 Po, ai vjen prej Izraelit, një mjeshtër atë e punoi e Zot s'është! Shkëndijë do të bëhet viçi i Samarisë! 7 Pasi mbjellin erë, stuhi do të korrin! Gruri i tyre kallinj s'do të lidhë, nëse rritet, miell s'do të japë, po edhe në dhëntë, të huajt do ta hanë! 11 Kur Efraimi i shumoi lterët për mëkat, i shërbyen veç për të mëkatuar. 12 Për të i shkruaja ligjet e mia të shumta, porse çmohen porsi gjë e huaj.
13 Ata i duan flitë, kushtojnë mishrat dhe i hanë, por ato Zotit s'i pëlqejnë. Tash do ta kujtojë fajësinë e tyre, do t'i ndëshkojë për mëkatet e tyre: në Egjipt do të kthehen.
Fjala e Zotit
Psalmi 115 (114), 3-4.5-6.7ab-8.9-10 (fq. 792)
Ref. Shtëpia e Izraelit shpreso në Zotin.
3 Hyji ynë është në qiell,
ai bën gjithçka i pëlqen.
4 Idhujt e paganëve janë argjend e ar
- prodhim i dorës së njeriut.
Ref. Shtëpia e Izraelit shpreso në Zotin.
5 Gojë kanë e nuk flasin,
sy kanë e nuk shohin,
6 veshë kanë e nuk dëgjojnë,
hundë kanë e nuk nuhasin.
Ref. Shtëpia e Izraelit shpreso në Zotin.
7 Duar kanë e nuk prekin,
këmbë kanë e nuk ecin,
8 Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë,
të gjithë ata që shpresojnë në ta!
Ref. Shtëpia e Izraelit shpreso në Zotin.
9 Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin:
Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.
10 Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin:
Ai është ndihma dhe mburoja e tyre!
Ref. Shtëpia e Izraelit shpreso në Zotin.
Aleluja!
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua. (Gjn 10, 14)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 9, 32-38) (fq. 1395/6)
Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 32 ia sollën Jezusit një memec të djallosur. 33 Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: »Kurrë s'u pa një gjë e tillë në Izrael!« 34 Ndërsa farisenjtë thoshin: »Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.«
35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë. 36 Kur e pa turmën e popullit, ndjen dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet: »Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 33, 9
Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.
Ose: Mt 11, 28
Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.