Leximet e ditës

JAVA E XIV GJATË VITI

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11

 

E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Oz 10, 1-3.7-8.12) (fq. 1240/41)

 

Është koha ta kërkojmë Zotin.

 

Lexim prej Librit të Ozesë profet

 

1 Shermendmadhe hardhi Izraeli, jepte fruta me mbushullim; sipas shumësisë së frutave të saja, edhe lterët i shumoi, sipas begatisë së tokës së vet, i stolisi tempujt e vet. 2 Zemrën e vet e ka të ndarë, s'do të vonojnë, do ta paguajnë! Zoti lterët do t'ua thyejë, tempujt e tyre do 'i rrënojë! 3 Atëherë ata kanë për të thënë: 'Nuk kemi mbret, sepse nuk e druam Zotin. Po mbreti për ne ç'do të bënte?' 7 E pat Samaria, mbreti i saj kashtërrojë mbi ujë! 8 Do të rrafshohen lartësitë e turpshme, mëkati i Izraelit! Do të ngallitin ferrë, hallugë përmbi lterët e tyre! Atëherë maleve do t'u thonë: 'Na mbuloni!' edhe kodrave: 'Mbi ne bini!' 12 Drejtësinë mbillni dashuri do të korrni! Tokë të re çelni: është koha Zotin të kërkoni derisa të vijë e ta zbrazë mbi ju drejtësinë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 105 (104), 2-3.4-5.6-7 (fq. 778)

 

Ref. Kërkojeni gjithmonë fytyrën e Zotit.

 

Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij,

kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!

Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:

le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

 

Ref. Kërkojeni gjithmonë, fytyrën e Zotit.

 

4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,

kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!

5 T'ju bien në mend mrekullitë që bëri,

mrekullitë e tij dhe gjyqet e gojës së tij.

 

Ref. Kërkojeni gjithmonë fytyrën e Zotit.

 

6 Ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,

ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!

7 Ai është Zoti, Hyji ynë,

mbi mbarë tokën gjyqet e tij!

 

Ref. Kërkojeni gjithmonë fytyrën e Zotit.

 

Aleluja!

Është afër Mbretëria qiellore, kthehuni e besoni Ungjillit. (Mk 1, 15)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 10, 1-7) (fq. 1396)

 

Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 1 Jezusi i mblodhi rreth vetes të dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t'i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë.

2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu - tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti - ai që e tradhtoi.

5 Shi këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe u urdhëroi: »Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: 'Mbretëria e qiellit është ngjat!'

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 33, 9

 

Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.

 

Ose: Mt 11, 28

 

Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.