Leximet e ditës
JAVA E XV GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje; do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 1, 10-17) (fq. 974/5)
Lahuni, pastrohuni, Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi, pushoni të bëni keq.
Lexim prej Librit të Isaisë Profet
10 Dëgjojeni fjalën e Zotit, o prijës të Sodomës! Dëgjoje Urdhrin e Hyjit tonë, o populli i Gomorës! 11 "Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta?" - thotë Zoti. - "Jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh, me dhjamë bagëtish të majura; e gjak demash qengjash e edhash nuk dua! 12 Kur donit të dilni përpara meje, kush i kërkoi këto prej duarve tuaja që të shëtitni nëpër tremet e mia? 13 Pushoni të më sillni fli të padobi; në iri e kam kemin. Hëna e re, e shtuna dhe tubimet... s'duroj dot paudhësi e festime bashkë! 14 Hënat e reja e festimet tuaja i urren shpirti im, u bënë barrë e rëndë për mua, s'mund t'i duroj më! 15 Kur i shtrini duart tuaja në uratë, unë i largoj sytë e mi prej jush; edhe nëse i shumoni uratat tuaja, unë nuk ju dëgjoj. Duart tuaja pikojnë gjak. 16 Lahuni, pastrohuni, Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi, pushoni të bëni keq! 17 Mësoni të bëni vepra të mira: kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit, jepni të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën!
Fjala e Zotit
Psalmi 50 (49), 8-9.16bc-17.21.23 (fq. 713)
Ref. Atij që ecën në udhë të drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
9 S'do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat,
as cjap prej tufave të tua.
Ref. Atij që ecën në udhë të drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
16 Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Ref. Atij që ecën në udhë të drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
21 "Kështu veprove e unë heshtova.
A mendon ti se unë jam si ti?
23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t'ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.
Ref. Atij që ecën në udhë të drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
Aleluja!
Lum ata që salvohen për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (krh. Mt 5, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 10, 34 - 11, 1) (fq. 1397)
Nuk erdha ta bie paqen, por shpatën.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 34 »Mos mendoni se erdha ta bie paqen mbi tokë. Nuk erdha ta bie paqen, po shpatën. 35 Sepse erdha të ndaj djalin prej t'et, vajzën prej s'ëmës, të renë prej së vjehrrës, 36 Njeriu do t'i ketë armiq shtëpiakët e vet.
37 Kush e do të atin e t'ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua!
39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë.«
40 »Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua.
41 Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t'i humbë shpërblimi!
11, 1 Kur Jezusi i kreu porositë që deshi t'ua japë dymbëdhjetë nxënësve të vet, u nis së andejmi për të mësuar e për të predikuar në qytetet e atjeshme.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve, të cilët do të ushqehen me këto dhurata. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.
Ose: Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.