Leximet e ditës
11 korrik
SHËN BENEDIKTI, ABAT
PAJTORI I EVROPËS
Festë
Antifona e hyrjes
Ishte njeri i ndershëm, me të vërtetë i bekuar, që pasi e la shtëpinë dhe pasurinë e trashëguar, me dëshirën që t’i kushtohej krejtësisht Zotit, u vesh me petkun e rregulltarisë.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti e bëre shën Benediktin abat mësues të shquar në shkollën e shërbimit hyjnor, bëj, po të lutemi, të të duam ty mbi gjithçka e të vrapojmë me zemër të çiltër udhës së urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fu 2, 1-9) (fq. 833)
Prire zemrën tënde për të njohur mençurinë.
Lexim prej Librit të fjalëve të urta
1Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse duke ia vënë veshin urtisë dhe 2duke e prirur zemrën tënde për ta njohur mençurinë; 3nëse patjetër do ta vësh në veprim kuptimin e nëse do ta ftosh maturinë, 4nëse do ta kërkosh porsi argjendin, nëse do ta kërkosh porsi visarin, 5veç atëherë do ta kuptosh frikën e Zotit dhe do ta gjesh dijen e Hyjit. 6Sepse ai që e dhuron urtinë është Zoti dhe prej gojës së tij del dija e mençuria. 7Ai e ruan për udhëheqës aftësinë, mburojë do të jetë për ata që e ndjekin të drejtën.
8Ai e mbron atë që ecën udhës së drejtësisë, që i ruan udhët e shenjtërve.
9Atëherë do ta kuptosh drejtësinë e gjyqin, të drejtën dhe të gjitha udhët e mira.
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 2-3.4-5.6-7.8-9.10-11 (fq. 790)
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
10 Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
11 Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ref. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti.
Aleluja!
Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! (Mt 5, 3)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 19, 27-29) (fq. 1411)
Ju që me keni ndjekur, do të merrni njëqind për një.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 27 Pjetri mori fjalën dhe e pyeti Jezusin: »Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?«
28 Jezusi u tha: »Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës - kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet - edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, dhuratat e shenjta që po t’i kushtojmë në festën e shën Benediktit; bëj që, sipas shembullit të tij, të të kërkojmë vetëm ty e t’i fitojmë në shërbesën tënde të mirat e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Lk 12, 42
Mbarështues besnik e i mençur që do të të vërë Zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit.
Lutja pas kungimit
Pasi e morëm pengun e jetës së amshueshme, me përvujtëri, po të lutemi, o Zot, bëj që, duke jetuar sipas mësimeve të shën Benediktit, t’i shërbejmë me besnikëri veprës sate e t’i duam vëllezërit me dashuri të flaktë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.