Leximet e ditës
JAVA E XIV GJATË VITI
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Oz 14, 2-10) (fq. 1244)
S'do t'i thërrasim më 'Hyjnitë tona!' veprat e duarve tona.
Lexim prej Ozesë profet
2 Kthehu, o Izrael, te Zoti, Hyji yt, faji është yt pse more në thua! 3 Përgatitni fjalët edhe kthehuni kah Zoti e thoni: 'Na e shlyej çdo fajësi, prano çka është e mirë e do të kushtojmë frytin e buzëve tona. 4 Asyria s'do të na shpëtojë, kalit në shpinë nuk do t'i hipim as s'do t'i thërrasim më 'Hyjnitë tona!' veprat e duarve tona, sepse pranë teje bonjaku mëshirën e gjen.'
5 "Do ta shëroj pabesnikërinë e tyre, do t'i dua me bujari, sepse u largua zemërimi im prej tyre. Vesë do të jem për Izraelin, porsi lili do të lulëzojë, si Libani do të lëshojë rrënjët. 7 Hapët e drejtë do t'i shtrijë gemat, bukurinë do ta ketë të ullirit, era e tij erë e Libanit. 8 Do të vijnë të rrinë nën hijen time, do të bëjnë të përparojë gruri, porsi vreshti do të lulëzojnë; verë të përmendur si vera e Libanit. 9 Efraimi ç'ka më me idhuj të përbashkët? Unë e vështroj e kujdesem për të. Unë si bredhi gjithmonë i blertë: prej meje të vjen fryti yt!"
10 Kush është i urtë, t'i marrë vesh këto, kush është i mençur, do t'i dijë këto! Të drejta janë rrugët e Zotit e të drejtët nëpër to ecin, ndërsa të këqijtë në to marrin në thua.
Fjala e Zotit
Psalmi 51 (50), 3-4.8-9.12-13.14.17 (fq. 714)
Ref. Goja ime, o Zot, le ta shpall lavdinë tënde.
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
Ref. Goja ime, o Zot, le ta shpall lavdinë tënde.
8 Ti që e do çiltërinë e zemrës,
m'i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
9 Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër,
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Ref. Goja ime, o Zot, le ta shpall lavdinë tënde.
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ref. Goja ime, o Zot, le ta shpall lavdinë tënde.
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
17 Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Ref. Goja ime, o Zot, le ta shpall lavdinë tënde.
Aleluja!
E kur të vijë ai - Shpirti i së Vërtetës - Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën, e do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë. (Gjn 16, 13a; 14, 26d)
Ungjilli (Mt 10, 16-23) (fq. 1396)
Nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 16 »Ja, unë po ju dërgoj porsi dele midis ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!
17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t'ju pandehin në gjyqe, do t'ju frushkullojnë në sinagoga të tyre. 18 Për shkak timin do t'ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t'ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju.
21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve të vet dhe do t'i vrasin. 22 Edhe ju do t'ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
23 Kur t'ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t'i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 33, 9
Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.
Ose: Mt 11, 28
Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.