Leximet e ditës
JAVA E XV GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje; do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 55, 10-11) (fq. 1037)
Zbret shiu dhe e ujit tokën.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: 10 Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, 11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s'do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.
Fjala e Zotit
Psalmi 65 (64), 10.11.12-13.14 (fq. 728)
Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoj të mbjellat në të.
10 Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë:
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoj të mbjellat në të.
Tokën ti kështu e përgatit:
11 hullitë ia lag, bucat ia imtëson,
me shi e zbrun,
të mbjellat ia bekon.
Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoj të mbjellat në të.
12 E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
13 kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi,
mballesat bregoreve ngjeshën me hare.
Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoj të mbjellat në të.
14 Livadhet janë të veshura me dhen,
luginat mbulohen me drithëra:
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoj të mbjellat në të.
Leximi i dytë (Rom 8, 18-23) (fq. 1597/8)
Krijesa me afsh e pret zbulimin e të bijve të Hyjit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, në të vërtetë 18 unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne.
19 E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: 20 krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë - jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi - porse njëmend në shpresë. 21 Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit.
22 Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. 23 Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin - shpërblimin e trupit tonë.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti; kushdo e gjen atë e ka jetën e pasosur. (krh. Mt 13, 19.23)
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Mt 13, 1-23) ose forma e shkurtër (Mt 13, 1-9) (fq. 1401/2)
Doli mbjellësi për të mbjell.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ulë të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.
3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: 4 »Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!«
(10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: »Pse po u flet me shëmbëlltyra?« 11 Ai u përgjigji: »Sepse ju e morët dhuratën t'i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t'i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: »Mirë do të dëgjoni - por s'do të kuptoni, mirë do të shikoni - por nuk do të shihni. 15 Vërtet zemra e këtij populli s'ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!
16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.«
18 »Tani dëgjoni ç'do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll 'pranë udhës'. 20 E i mbjelli 'në zallinë', është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s'ka rrënjë në vetvete - pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli 'në ferra', është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në 'tokë të mirë', është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.«)
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve, të cilët do të ushqehen me këto dhurata. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.
Ose: Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.