Leximet e ditës
JAVA E XIV GJATË VITI
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zak 9, 9-10) (fq. 1300/1)
Ja, mbreti yt po vjen te ti, i përvuajtur.
Lexim prej Librit të Zakarisë profet
Kështu thotë Zoti: 9 Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! 10 Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet harku i luftës. Kombeve do t’u sjellë paqen. Sundimi i tij prej detit në det prej Lumit në skajet e tokës!
Fjala e Zotit
Psalmi 145 (144),1-2.8-9.10-11.13-14 (fq. 825)
Ref. Do ta bekoj emrin tënd, o Zot, përgjithmonë.
1 Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
2 Çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
Ref. Do ta bekoj emrin tënd, o Zot, përgjithmonë.
8 Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
9 Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Ref. Do ta bekoj emrin tënd, o Zot, përgjithmonë.
10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
Ref. Do ta bekoj emrin tënd, o Zot, përgjithmonë.
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta,
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
14 Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët,
i çon ata që rrëzohen.
Ref. Do ta bekoj emrin tënd, o Zot, përgjithmonë.
Leximi i dytë (Rom 8, 9.11-13) (fq. 1597)
Po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, 9 ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. 11 Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. 12 Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: 13 sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore! (krh. Mt 11, 25)
Ungjilli (Mt 11, 25-30) (Fq.1398)
Unë jam zemër butë e i përvujtë
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi mori fjalën dhe tha: 1 »Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë.
28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«
Fjala e Zotit
Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11
E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.
Kolekta
O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 33, 9
Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.
Ose: Mt 11, 28
Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.