Leximet e ditës

JAVA E XIV GJATË VITI

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 47, 10-11

 

E kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e tempullit tënd. Sikurse emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti me përvujtërinë e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj të gëzojnë me ty për amshim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

 

Leximi i parë (Oz 11, 1.3-4.8c-9) (fq. 1241/2)

 

Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimbja.

 

Lexim prej Librit të Ozesë profet

 

Kështu thotë Zoti: 1 Kur Izraeli ende ishte djalë unë e doja e prej Egjiptit e thirra birin tim.

3 E unë e mësoja Efraimin të ecte vetë i mbartja para duarsh, s'e kuptonin se u kujdesoja për ta.

4 I tërhiqja me litarë për njerëz, me vargje të dashurisë; isha për ta, porsi ai që fëmijën e ngrit deri në mollëza të veta, u përkulja mbi të t'i jap të hajë.

8 Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimbja.

9 S'do ta shfryej zemërimin tim, s'do të kthehem ta shpërndaj Efraimin, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s'do të vij me tmerr.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 80 (79), 2ac.3b.15-16 (fq. 750)

 

Ref. Bëj të ndriçojë drita e fytyrës sate, o Zot, e ne do të shpëtojmë.

 

2 Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit,

ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe

3 zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë

për ta na shpëtuar!

 

Ref. Bëj të ndriçojë drita e fytyrës sate, o Zot, e ne do të shpëtojmë.

 

15 Kthehu, Hyji i ushtrive,

shikoje nga qielli e shihe,

eja, shihe këtë vresht,

16 deli zot se ti vetë e mbolle:

djalit që për vete e rrite.

 

Ref. Bëj të ndriçojë drita e fytyrës sate, o Zot, e ne do të shpëtojmë.

 

Aleluja!

Është afër Mbretëria e Qiellit, thotë Zoti; kthehuni dhe besoni Ungjillit. (krh. Mk 1,15)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 10, 7-15) (fq. 1396)

 

Falas morët, falas edhe jepni.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 Gjatë udhëtimit predikoni: 'Mbretëria e qiellit është ngjat!' 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë!

Falas morët, falas edhe jepni! 9 Mos bashkoni në breza tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë në ushqimin e vet.

11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai deri të shkoni më tej.

12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju. 14 Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundeni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja. 15 Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomora se ai qytet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, na pastroftë kushti që po ia paraqesim emrit tënd dhe na drejtoftë përditë kah jeta qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 33, 9

 

Shijoni e shihni sa i mirë është Zoti. I lumi ai që shpreson në të.

 

Ose: Mt 11, 28

 

Ejani tek unë ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na mbushe me dhurata kaq të mrekullueshme: na ndihmo ta fitojmë shpëtimin e amshuar dhe kurrë të mos pushojmë duke të të lëvduar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.