Leximet e ditës
JAVA E XV GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje; do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 10, 5-7.13-16) (fq. 985/6)
A mund t'i krenohet sharra atij që me të sharron?!
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: 5 Mjerë Asuri, thupra e felgrimit tim, shkop në dorën time, zemërimi im! 6 Unë e dërgojë kundër një kombi të pazot, i urdhëroj kundër një populli, në të cilin jam zemëruar që ta plaçkitë e ta bëjë pre, ta shkelë si baltën në rrugë.
7 Porse ai s'ka menduar kështu, mendja e tij kështu s'e ka çmuar: ka munduar veçse të shfarosë e të shuajë kombe jo të pakta.
13 Sepse tha: "Veprova me fuqi të krahut tim e me urtësinë e mendjes sime, sepse jam i mençur; i zhduka kufijtë e popujve, pre i bëra vishtarët e tyre, si trim që jam për tokë i rrëzova ata që rrinin në frone të larta. 14 Dora ime porsi çerdhe i pushtoi pasuritë e popujve, siç mblidhen vezët e lëna e mblodha botën mbarë dhe s'u gjet kush të fluturojë me krahë as të hapë sqepin e të cicërojë!"
15 Vallë, a ka si t'i lavdërohet sakica atij që me të pret?! A mund t'i krenohet sharra atij që me të sharron?! Thua se thupra e sjell atë qe e vërtit ose shkopi e çon atë që dru nuk është! 16 Për këtë arsye Zotëruesi, Zoti i Ushtrive, do të çojë ligësinë në ushtrinë e zgjedhur të tij, e nën nderin e tij një zjarr që do të djegë porsi djeg zjarri.
Fjala e Zotit
Psalmi 94 (93), 5-6.7-8.9-10.14-15 (fq. 766)
Ref. Zoti nuk e braktis popullin e vet.
5 E poshtërojnë popullin tënd, o Zot,
e ndrydhin pronën tënde,
6 vrasin vejushën e ardhacakun,
mbytin bonjakët.
Ref. Zoti nuk e braktis popullin e vet.
7 E thonë: "Zoti nuk sheh,
s'di gjë Hyji i Jakobit!"
8 Merrni vesh, o marrashat e popullit,
ju, o të marrë, kur do të zini mend?
Ref. Zoti nuk e braktis popullin e vet.
9 Ai që krijoi veshin a nuk do të dëgjojë?
Ai që përftoi syrin a nuk do të shohë?
10 Ai që qorton popujt a nuk do të ndëshkojë,
ai që ia mëson njeriut dijen?
Ref. Zoti nuk e braktis popullin e vet.
14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet,
as s'do të heqë dorë nga prona e vet,
15 sepse e drejta do t'i jepet drejtësisë
e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.
Ref. Zoti nuk e braktis popullin e vet.
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 11, 25-27) (fq. 1398)
I fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: »Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!
27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s'mund ta njohë Birin përveç Atit dhe askush s'mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t'ia zbulojë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.
Ose: Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.