Leximet e ditës

JAVA E XV GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15

 

Unë në drejtësi do të dukem përpara teje; do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 26, 7-9.12.16-19) (fq. 1001)

 

Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

Udha e të drejtit është e drejtë, të drejtit ti ia rrafshon shtegun. 8 Udhës që endin gjyqet e tua, ne, o Zot, në ty shpresojmë; Emri yt e kujtimi yt është dëshira e shpirtit tonë. 9 Shpirti im të dëshiron natën me mend të mia, në veten time të kërkoj. Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, banorët e botës e mësojnë drejtësinë. 12 Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, pasi ti të mbarën ua jep të gjithave që ne ndërmarrim.

16 Ty o Zot, të kërkuan në ngushticë, t'u lutën në provë, kur ti i ndëshkoje. 17 Si shtatzëna, kur për të lindur i afrohen dhimbjet, me ofshame bërtet nga dhimbjet e veta, të tillë u bëmë përpara teje, o Zot. 18 Ngjizëm, në dhimbje jemi thua se do të lindim: lindëm erë; vendit shpëtim nuk i sollëm, as nuk lindën banorët e botës.

19 Por përsëri do të rijetojnë të vdekurit, të vrarët e mi do të ringjallen. Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur, sepse vesa jote është vesa e dritës edhe toka hijet e të vdekurve në dritë do t'i qesë!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 102 (101), 13-14ab.15.16-18.19-21 (fq. 773)

 

Ref. Populli që e krijove e bekon emrin tënd, o Zot.

 

13 Ti, o Zot, qëndron për amshim,

prej breznie në brezni Emri yt.

14 Ngrihu, ki dhembje për Sionin:

ka ardhur koha të kesh mëshirë për të

- shi tani është koha!

15 Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij

e u dhembet edhe pluhuri i tij.

 

Ref. Populli që e krijove e bekon emrin tënd, o Zot.

 

16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot,

të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.

17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin,

u dëftua në lavdinë e vet.

18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve

dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.

 

Ref. Populli që e krijove e bekon emrin tënd, o Zot.

 

19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme

dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.

20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,

nga qielli ai vrojton mbi tokë,

21 për t'i dëgjuar ofshamat e robërve,

për t'i shpëtuar të dënuarit me vdekje.

 

Ref. Populli që e krijove e bekon emrin tënd, o Zot.

 

Aleluja!

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd e unë do t’ju çlodh. (krh. Mt, 11, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 11, 28-30) (fq. 1399)

 

Unë që jam zemër butë e i përvujtë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: 28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t'ju çlodh.

29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve, të cilët do të ushqehen me këto dhurata. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5

 

Trumcaku e gjen banesën e vet edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.

 

Ose: Gjn 6, 57

 

Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.