Leximet e ditës
JAVA E XV GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 38, 1-6.21-22, 7-8) (fq. 1015)
E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
1 Ndër ato ditë u sëmur Ezekia për vdekje. Isaia profet, biri i Amosit, shkoi ta shohë e i tha: "Kështu thotë Zoti: 'Jepi porositë e fundit familjes sate, se do të vdesësh e nuk do të jetosh.'" 2 Atëherë Ezekia u soll me fytyrë prej murit, iu lut Zotit 3 e tha: "Po të lutem, o Zot, deh të bie në mend se kam ecur në praninë tënde në besnikëri e me zemër të përsosur, se kam bërë atë që është e mirë para syve të tu. "Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.
4 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Isaisë profet: 5 "Shko e thuaj Ezekisë: 'Kështu thotë Zoti, Hyji i atit tënd Davidit: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu, dhe, ja, unë do të shëroj; pas tre ditësh do të ngjitësh në Shtëpinë e Zoti. Po ua shtojë ditëve të tua edhe pesëmbëdhjetë vjet, 6 dhe do të të shpëtoj prej dorës së mbretit të asirianëve ty dhe këtë qytet e unë do ta mbroj këtë qytet.'
21 Atëherë Isaia dha urdhër të sillet një bukëfike, t'ia vënë përmbi çiban e të shërohet. 22 Atëherë tha Ezekia: "Cila do të jetë shenja se njëmend do të mund të ngjitem në Shtëpinë e Zotit?" Isaia ju përgjigj: 7 “dhe ja shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta plotësojë fjalën që e tha: 8 Ja, unë po bëj të kthehet hija e shkallëve për dhjetë shkallë prapazi që bashkë me diell ka zbritur në orën e Akazit." Dhe dielli u kthye dhjetë shkallë prapazi nëpër shkallë që kishte zbritur.
Fjala e Zotit
Psalmi Is 38, 10.11.12abcd.16 (fq. 1016)
Ref. Shpresoj në ty, o Zot, sepse ti ma jep jetën.
10 "Unë thoja: Në gjysmën e ditëve të mia
unë po shkoj në dyert e Nëntokës;
u luta për tepricën e viteve të mia.
Ref. Shpresoj në ty, o Zot, sepse ti ma jep jetën.
11 Thashë: S'do ta shoh më Zotin Hyj
në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd
ndër banorët e kësaj bote.
Ref. Shpresoj në ty, o Zot, sepse ti ma jep jetën.
12 Banesa ime u shkëput e u hodh larg meje
porsi tenda e barinjve,
si vektari ma mbështolli jetën,
e prej shulit po më këput.
Ref. Shpresoj në ty, o Zot, sepse ti ma jep jetën.
16 O Zot, në ty shpresoftë zemra ime,
u gjallëroftë shpirti im:
më shëro e më përtërij në jetë.
Ref. Shpresoj në ty, o Zot, sepse ti ma jep jetën.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 12, 1-8) (fq. 1399)
Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Në atë kohë - në një të shtunë - Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallëz e të hanë.
2 Kur i panë farisenjtë, i thanë: »Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s'është e lejueshme të bëhet të shtunën!«
3 Jezusi u përgjigj: »Vallë a nuk keni lexuar ç'bëri Davidi kur pati uri ai dhe përcjellësit e tij? 3 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t'i hajë as ai as përcjellësit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç'do të thotë fjala: 'Dua mëshirën e jo flinë', nuk i kishit dënuar këta njerëz që s'po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve, të cilët do të ushqehen me këto dhurata. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.
Ose: Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.