Leximet e ditës

JAVA E XV GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps. 16, 15

 

Unë në drejtësi do të dukem përpara teje; do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë, të flakin çka i kundërshton këtij emri e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

           Leximi i parë         (Mik 2, 1-5)

 

           Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.

 

           Lexim prej Librit të Mikesë profet

 

           Kështu thotë Zoti: 1 Vaj për ata që e synojnë të keqen, që sendërgjojnë mbrapshtinë në shtrojë! Sa zbardh drita e sendërtojnë se pushteti është në dorë të tyre! 2 U lakmojnë arave, me dhunë i marrin; u lakmojnë shtëpive, i rrëmbejnë! shtypin njeriun e shtëpinë e tij, pronarin e pronën e tij! 3 Prandaj Zoti thotë kështu: "Ja, kësaj pjelle ia mendoj të keqen, të cilës qafën s'do të mund t'ia hiqni, s'do të jetë kohë shumë e keqe. 4 Po atë ditë përrallë do të bëheni, do të këndohet mbi ju vajtimi e do të thuhet: "Sharruam! U shkretuam! U mor prona e popullit tim, askush s'ia kthen: ndër të pafe ndahen krahinat tona!" 5"Prandaj askush s'do të mbesë që të ngrehë për ty konopin e shortit në mbledhjen e Zotit."

 

           Fjala e Zotit

          

           Psalmi 9B(10TM),1-2;3-4;7-8;14

 

Ref. Mos i harro të varfrit, o Zot

 

1 Përse, o Zot, qëndron larg,

përse fshihesh në ditë të vështirë?

2 Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin:

le të zihet krenari në dhelperinë që sheston!

 

Ref. Mos i harro të varfrit, o Zot

 

3 I pabësi mburret me dëshirat e shpirtit të vet,

lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.

4 Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin:

"S'kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!"

 

Ref. Mos i harro të varfrit, o Zot

 

7 Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra,

nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!

8 Rri në pritë ndër fshatra,

në moh e vret të pafajshmin.

 

Ref. Mos i harro të varfrit, o Zot

 

14 E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë,

me dorën tënde i peshon:

në ty mbështetet i mjeri,

ti ia jep bonjakut sigurinë.

 

Aleluja!

Hyji nëpër Krishtin e pajtoj botën me vetvete, duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. (2 Kor 5, 19)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 12, 14-21) (fq. 1399)

 

Ja shërbëtori im, të cilin e zgjodha...

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 14 farisenjtë, si dolën jashtë, mbajtën këshillim kundër Jezusit si ta vrasin.

15 Kur Jezusi mori vesh, u largua prej andej. Pas tij shkuan shumë vet dhe ai i shëroi të gjithë. 16 U urdhëroi që të mos e shpallin, 17 për të shkuar në vend fjala e Isaisë profet: 18 »Ja shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i Dashuri im, që e ka për zemër shpirti im. Në të do ta vë Shpirtin tim, Ai do t'u lajmërojë paganëve fenë e vërtetë. 19 Nuk do te kërcënohet as nuk do të bërtasë, askush s'do ta dëgjojë zërin e tij në sheshe. 20 As kallamin e shkelur s'do ta thyejë, as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë deri që mos ta ketë çuar fenë e vërtete ne fitore, 21 Në Emrin e tij do të shpresojnë popujt.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve, të cilët do të ushqehen me këto dhurata. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps. 83, 4-5

 

Trumcaku e gjen banesën e vet edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet: e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im! Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të të lavdërojnë për amshim.

 

Ose: Gjn 6, 57

 

Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

I morëm, o Zot, dhuratat e tua dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri, të na shtohet fryti i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.