Leximet e ditës

JAVA E XVI GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 53, 6.8

 

Hyji po më vjen në ndihmë, shpirtin tim ai po e merr në mbrojtje. Unë me ëndje do të të kushtoj fli, do ta lavdëroj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shto në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm në shpresë, fe dhe dashuri, të ngulmojnë në zbatimin e urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Urt 12, 13.16-19) (fq. 899/900)

 

Ti e dhuron mundësinë e pendimit për mëkate.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

 

13 Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. 16 E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. 17 Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. 18 Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. 19 Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 86 (85), 5-6.9-10.15-16 (fq. 756)

 

Ref. Ti je i mirë, o Zot, e na falë.

 

 

 

 

Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë,

plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

Dëgjoje, o Zot, uratën time,

vështroje zërin e lutjes sime.

 

Ref. Ti je i mirë, o Zot, e na falë.

 

9 Të gjithë paganët prej teje të krijuar,

do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot,

dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

10 sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli,

ti je i vetmi Hyj.

 

Ref. Ti je i mirë, o Zot, e na falë.

 

15 Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm,

i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,

16 shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.

 

Ref. Ti je i mirë, o Zot, e na falë.

 

Leximi i dytë (Rom 8, 26-27) (fq. 1598)

 

Shpirti Shenjt lutet për ne më ofshame të patregueshme.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 26 Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme. 27 E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Ungjilli (Mt 13, 24-43) ose forma e shkurtër (Mt 13, 24-30) (fq. 1402)

 

Lëni le të rritën bashkë deri në të korra.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 24 Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25 Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. 26 Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruan zotështëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? 28 Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë! ’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ 29 Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! 30 Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’“ (31 Mandej u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër; “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.” 33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjitha.”

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit: ‘Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.” 37 Ai u përgjigj: “Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i hedhur jashtë Mbretërisë e tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.

43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.

Kush ka veshë, le të dëgjojë!”)

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti me një fli të vetme të Krishtit i përsose flitë e ndryshme të ligjit të vjetër: pranoje flinë e shërbëtorëve të tu të përshpirtshëm dhe shenjtëroje, si kaherë e bekove kushtin e Abelit dhe çkado të kushton çdonjëri në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 110, 4-5

 

U ngre përmendore mrekullive të veta, i mëshirshëm dhe i mëshirëdhënës është Zoti, u jep ushqim atyre që e druajnë.

 

Ose: Zb 3, 20

 

Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas, thotë Zoti: kush e dëgjon zërin tim dhe ma hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, ji pranë popullit tënd dhe sikurse e ushqeve me mistere qiellore, bëj të kalojë nga jeta e vjetër në një jetë të re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.