Leximet e ditës
JAVA E XVI GJATË VITIT
E HËNË
Hyji po më vjen në ndihmë, shpirtin tim ai po e merr në mbrojtje. Unë me ëndje do të të kushtoj fli, do ta lavdëroj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë.
Kolekta
Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shto në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm në shpresë, fe dhe dashuri, të ngulmojnë në zbatimin e urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Mik 6, 1-4.6-8) (fq. 1273/4)
Të është dëftuar, o njeri, çka Zoti kërkon prej teje.
Lexim prej Librit të Mikesë profet
1 Dëgjoni se çka thotë Zoti: “Në këmbë! Mbrohu në gjyq përpara Maleve edhe Kodrat le të ta dëgjojnë zërin!” 2 Dëgjojeni, Male, gjykimin e Zotit, vini vesh, themelet e tokës, sepse Zoti me popull të vet po gjykohet, Izraelin Ai po e pandeh: 3 “Çka të kam bërë, populli im? E me çka ty ta mërzita? Më përgjigj! 4 Të nxora nga dheu i Egjiptit, të shpëtova prej shtëpisë së skllavërisë, para teje dërgova Moisiun, Aronin edhe Marinë!
6 “Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit kur bie në gjunjë para të Tejetlartit Hyj? T’i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi ose viça që e mbushën vjetin? 7 A thua Zotit do t’i pëlqejnë? Mijëra deshësh e përrenj vaji me miliarda? T’i kushtoj, thua, të parëlindurin si shpërblim për fajin tim, frytin e kraharorit tim për mëkat që bëra?”
8 “T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!”
Fjala e Zotit
Psalmi 50 (49), 5-6.8-9.16bc-17.21.23 (fq. 713)
Ref. Atij që ecën udhës së drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
5 »Bashkoni para meje besimtarët e mi,
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
6 Qiejt shpallin drejtësinë e tij
sepse Hyji është gjykatës!
Ref. Atij që ecën udhës së drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
9 S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat,
as cjap prej tufave të tua.
Ref. Atij që ecën udhës së drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
16Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Ref. Atij që ecën udhës së drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
21 Kështu veprove e unë heshtova.
A mendon ti se unë jam si ti?
23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.
Ref. Atij që ecën udhës së drejtë, do ia tregoj shëlbimin e Hyjit.
Aleluja!
Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95, 8ab)
Ungjilli (Mt 12, 38-42) (fq. 1400)
Kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë tjetër përveç shenjës së Jonës profet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 38 disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë Jezusit: “Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”
39 Ai u përgjigj: “Breznia e mbrapshtë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net.
41 Njerëzit e Ninivës do të ngritën Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritët Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me një fli të vetme të Krishtit i përsose flitë e ndryshme të ligjit të vjetër: pranoje flinë e shërbëtorëve të tu të përshpirtshëm dhe shenjtëroje, si kaherë e bekove kushtin e Abelit dhe çkado të kushton çdonjëri në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 110, 4-5
U ngre përmendore mrekullive të veta, i mëshirshëm dhe i mëshirëdhënës është Zoti, u jep ushqim atyre që e druajnë.
Ose: Zb 3, 20
Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas, thotë Zoti: kush e dëgjon zërin tim dhe ma hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, ji pranë popullit tënd dhe sikurse e ushqeve me mistere qiellore, bëj të kalojë nga jeta e vjetër në një jetë të re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.