Leximet e ditës
22 korrik
Shën Maria Magdalenë
Festë
Antifona e hyrjes Gjn 20, 17
Jezusi i tha Marisë Magdalenë: Shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, te Hyji im e Hyji juaj.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Jezu Krishti, i Njëlinduri Biri yt ia besoi Marisë Magdalenë të jetë e para që t’ua kumtojë të gjithëve gëzimin e Pashkëve: bëj, po të lutemi, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë si mbret në lavdinë tënde. Ai me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Kk 3, 1-4a) (fq. 879)
Gjeta atë që ma do shpirti.
Lexim prej Librit të Këngës së këngëve
Kështu thotë e fejuara: 1 «Në shtrojën time gjatë gjithë natës kërkoj atë që ma do shpirti, e kërkova, por s’e gjeta.
2 Do të ngrihem, qytetin do ta përshkoj, do ta kërkoj në udhë e sheshe atë që shpirti ma do. E kërkova, por s’e gjeta.
3 Më gjeti roja që endet nëpër qytet: “A e patë atë që ma do zemra”? 4 Posa ata i kalova, gjeta atë që ma do shpirti».
Fjala e Zotit
Ose
Leximi i parë (2 Kor 5, 14-17)
E vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën;
E Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta. Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën thjesht njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!
Fjala e Zotit
Psalmi 63 (62), 2.3-4.5-6.8-9 (fq. 726)
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
2 O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
tokë e shkretë, e thatë, e pa ujë.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
3 Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
4 Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
5 Kështu do të të bekoj në jetën time
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
8 Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
9 Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më merr për dore.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
Aleluja!
Na trego, ti, o Mari, çfarë ke parë me ata sy? Kam parë varrin e Krishtit të gjallë, dhe lavdinë e Atij që u ngjall.
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 20, 1-2.11-18) (fq. 1541)
Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit.
11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë: “Pse po qan, moj burrneshë?” Ajo u përgjigj: “E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”
14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha: “Grua, pse po qan? Kë po kërkon?” Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.” 16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi. Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”
18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që po t’i kushtojmë në përkujtimin e shën Marisë Magdalenë; veprën e dashurisë së saj e pranoi me bujari i Njëlinduri Biri yt, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
PREFACIONI
Apostulla e apostujve
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi,
të shpallim gjithmonë lavdinë tënde,
O Atë, i mrekullueshëm në mëshirë
e edhe më i mrekullueshme në pushtet,
nëpër Krishtin, Zotit tonë.
Ai në kopsht iu shfaq hapur
Marisë Magdalenë,
e cila shkoj pas tij me dashuri
gjatë gjithë jetës së tij tokësore,
e pa të vdiste në kryq,
dhe, pasi e kërkoi në varr,
ishte e para që e adhuroi të ringjallur nga të vdekurit;
asaj i dha nderin të ishte apostulle për vetë apostujt,
në mënyrë që Lajmi i gëzueshëm i jetës së re
të arrinte deri në skajet e tokës.
Edhe ne, të bashkuar me Engjëjt dhe me të gjithë shenjtërit,
këndojmë me gëzim himnin e lavdisë sate:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit 2 Kor 5, 14-15
Dashuria e Krishtit na nxit në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq e u ngjall për ta.
Lutja pas kungimit
Kungimi i shenjtë që morëm, o Zot, na dhashtë edhe neve atë dashuri të qëndrueshme që e lidhi shën Marinë Magdalenë përjetë me Krishtin, Mësuesin e saj. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.