Leximet e ditës

23 korrik

 

SHËN BRIGITA, RREGULLTARE

 

PAJTORE E EVROPËS

Festë

 

Antifona e hyrjes

 

Të gëzohemi të gjithë në Zotin, duke kremtuar festën në nder të shën Brigitës: për lavdinë e saj në qiell gëzohen engjëjt dhe e lavdërojnë Birin e Hyjit.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Zot, Hyji ynë, Ti ia zbulove shën Brigitës misteret qiellore ndërsa po i kundronte mundimet e Krishtit: bëj që edhe ne, shërbëtorët e tu, të galdojmë plot gëzim në zbulimin e lavdisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Gal 2, 19-20) (fq. 1642)

 

Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

 

Vëllezër 19 me anë të Ligjit, vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; 20 jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34 (33), 2-3.17-18.19.23 (fq. 693)

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

2 Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë lavdi i tij.

3 Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

17 Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve

për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,

i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

19 Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,

i shpëton shpirtpërgrirët.

23 Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,

nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

 

Aleluja!

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti: kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryte! (Gjn 15, 9b.5b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 15, 1-8) (fq. 1532/3)

 

Kush mbetet në mua dhe unë në të ai jep shumë fryt.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet! 1 “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. 2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryte. 3 Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë.

4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. 5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.

 6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. 7 Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. 8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Atë i mëshirshëm, që shënove në shën Brigitën përfytyrimin e krijesës së re, bëj që edhe ne të përtërihemi në shpirt për të qenë të denjë të të ofrojmë flinë e pajtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 44, 8

 

Ti e do drejtësinë, Ti e urren padrejtësinë, prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, me vaj gëzimi ndër shokët e tu.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të mbështetur nga forca e këtij sakramenti, të mësojmë nën shembullin e shën Brigitëstë të kërkojmë ty mbi çdo gjë, për ta pasur që në këtë jetë pamjen e njeriut të ri. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

24 korrik

 

Shën Sharbeli Makhlûf, meshtar

 

Përbashkorja për barinj: për një bari (fq. 781), apo për shenjtër: për një murg (fq. 802).

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti që e thirre shën Sharbelin në një luftë të veçantë të jetës eremite dhe e mbushe atë me çdo dhuratë të përshpirtërisë, bëj që, të bashkuar me mundimet e Zotit tonë, të mund të kemi pjesë bashkë me të në mbretërinë e qiellit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, me përvujtëri po i lutemi madhërisë sate që sikurse kjo fli e kushtuar në nder të shën Sharbelit shpall lavdinë e fuqisë sate hyjnore, ashtu edhe të fitojë për ne frytet e shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Mt 28, 20

 

Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti (K.P. aleluja).

 

Lutja pas kungimit

 

Kungimi i shenjtë që morëm, o Zot, na përgatittë për gëzimet e përhershme, të cilat i meritoi shën Sharbeli me shërbesën besnike. Nëpër Krishtin Zotin tonë.