Leximet e ditës
JAVA E XVI GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Ps 53, 6.8
Hyji po më vjen në ndihmë, shpirtin tim ai po e merr në mbrojtje. Unë me ëndje do të të kushtoj fli, do ta lavdëroj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë.
Kolekta
Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shto në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm në shpresë, fe dhe dashuri, të ngulmojnë në zbatimin e urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Leximi i parë (Dal 20, 1-17) forma e shkurtër (Dal 20, 1-3.7-8.12-17) (fq. 104/5)
Ligji qe dhënë nëpërmjet Moisiut.
Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, 1 Zoti i tha të gjitha këto fjalë: 2 “Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë. 3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje.
(4 Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. 5 Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.)
7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.
8 Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: (9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; 10 kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.)
12 Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.
13 Mos vraj!
14 Mos bëj kurorëthyerje!
15 Mos vidh!
16 Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër të afërmit tënd!
17 Mos i lakmo shtëpinë të afërmit tënd. Mos e lakmo gruan së tij, shërbëtorin, shërbëtoren; as kaun, as gomarin, asnjë gjë që i përket atij.”
Fjala e Zotit
Psalmi 19 (18), 8.9.10.11 (fq. 676)
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha një një të drejta.
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
11 Më të çmueshme se ari,
se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
II
Leximi i parë (Jer 3, 14-17) (fq. 1056)
Do t’ju jap barinj sipas zemrës sime; të gjithë popujt do të bashkohen në Jerusalem.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
14 Kthehuni, o bij që u ngritët kundër meje, thotë Zoti sepse unë jam Zoti juaj. Do t’ju marr nga një prej çdo qyteti e nga dy prej çdo barjaku e do t’ju shpie në Sion. 15 Unë do t’ju jap barinj sipas zemrës sime e do t’ju udhëheqin me dije e urti.
16 Kur mandej të shumoheni e të jeni shtuar në vend, ndër ato ditë thotë Zoti më nuk do të thuhet: ‘Arka e Besëlidhjes së Zotit’, askush nuk do të mendojë për të, as s’do t’u bjerë ndër mend për të, as s’do të kërkohet, as s’do të ripunohet më.
17 Në atë kohë Jerusalemi do të quhet: ‘Froni i Zotit’; të gjithë popujt, atje, në Jerusalem, do të bashkohen në emër të Zotit, dhe më nuk do të jetojnë sipas pabesisë së zemrës së tyre tejet të prishur.
Fjala e Zotit
Psalmi (Jer 31, 10.11-12abcd.13) (fq. 1093)
Ref. Zoti na ruan, Ai është bariu ynë.
10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,
shpalleni ndër ishuj të largët!
Thoni: “Ai që e shpërndau Izraelin
përsëri po e bashkon,
do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.
Ref. Zoti na ruan, Ai është bariu ynë.
11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,
e çliroi nga dora e më të fortit.
12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde
në malin e Sionit,
do të ngarendin drejt të mirave të Zotit.
Ref. Zoti na ruan, Ai është bariu ynë.
13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,
djelmoshat së bashku me pleq.
Zinë e tyre në galdim do ta kthej,
do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.
Ref. Zoti na ruan, Ai është bariu ynë.
Aleluja!
Lum ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (krh. Lk 8, 15)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 13, 18-23) (fq. 1401/2)
Ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo i jetë pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me një fli të vetme të Krishtit i përsose flitë e ndryshme të ligjit të vjetër: pranoje flinë e shërbëtorëve të tu të përshpirtshëm dhe shenjtëroje, si kaherë e bekove kushtin e Abelit dhe çkado të kushton çdonjëri në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 110, 4-5
U ngre përmendore mrekullive të veta, i mëshirshëm dhe i mëshirëdhënës është Zoti, u jep ushqim atyre që e druajnë.
Ose: Zb 3, 20
Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas, thotë Zoti: kush e dëgjon zërin tim dhe ma hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, ji pranë popullit tënd dhe sikurse e ushqeve me mistere qiellore, bëj të kalojë nga jeta e vjetër në një jetë të re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.