Leximet e ditës

25 korrik

 

SHËN JAKOBI, APOSTULL

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Mt 4, 18. 21

 

Ndërsa Jezusi po kalonte bregut të detit të Galilesë, pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë e tij, duke ndrequr rrjetat dhe i thirri.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, Ti deshe që shën Jakobi i pari ndër apostujt e tu ta flijonte jetën për Ungjillin: bëj që Kisha jote të forcohet me dëshminë e tij e të gëzojë gjithmonë mbrojtjen e tij. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë ( 2 Kor 4, 7-15) (fq. 1630)

 

I mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 7 ne e mbartim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh. 8 Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar, 9 të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej‑këndej po, por jo të rrëzuar, 10 gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. 11 Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta.

13 E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, 14 sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. 15 E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri ‑ i shumëzuar ‑ të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 126 (125), 1bc-2ab.2cd-3.4-5.6 (fq. 809)

 

Ref. Ai që mbjell me lot, le të korr me gëzim.

 

1 Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

2 Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë me këngë gëzimi!

 

Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha”!

3 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

 

Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

4 Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e negebit!

5 Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

 

Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

6 Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

 

Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

Aleluja!

Unë ju zgjodha dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryte, thotë Zoti, e fryti juaj të qëndrojë (Gjn 15, 16.19).

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 20, 20-28) (fq. 1412)

 

A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 20 Jezusit iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha: “Çka dëshiron?” Ajo iu përgjigj: “Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” 22 Jezusi u përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën. 23 Jezusi vijoi: “Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh të dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes dhe u tha: “Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Na pastro, o Zot, me pagëzimin shëlbimprurës të mundimeve të Birit tënd, që të mund ta kushtojmë flinë e pëlqyeshme në festën e shën Jakobit i cili i pari ndër apostuj e piu kelkun e mundimeve të Krishtit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Mt 20, 22-23

 

Ata e pinë gotën e mundimeve të Krishtit dhe u bënë miqtë e Zotit.

 

Lutja pas kungimit

 

Na ndihmo, po të lutemi, o Zot, me ndërmjetësinë e shën Jakobit apostull, në festën e të cilit me gëzim i morëm të mirat e tua të shenjta. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 519.