Leximet e ditës

JAVA E XVII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36

 

Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Mbr 3, 5.7-12) (fq. 402/3)

 

Po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’ do ta ketë askush pas teje.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 5 në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të të jap unë”! 7 Salomoni tha: e tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre Mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet Mbretëruar. 8 Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. 9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh”? 10 Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri.

 11 Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, 12 ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’ do ta ketë askush pas teje si ti.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 57.72.76-77.127-128.129-130 (fq. 797)

 

Ref. Sa shumë e dua, o Zot, ligjin tënd.

 

57 Zoti është pjesa e trashëgimit tim:

e dhashë fjalën t’i mbaj urdhërimet e tua.

72 Më i mirë është për mua Ligji yt

se me mijëra monedha ari e argjendi.

 

Ref. Sa shumë e dua, o Zot, ligjin tënd.

 

76 Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt

sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.

77 Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,

sepse Ligji yt është kënaqësia ime.

 

Ref. Sa shumë e dua, o Zot, ligjin tënd.

 

127 Oh, sa i dua urdhërimet e tua:

më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.

128 Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,

e urrej çdo udhë gënjeshtre.

 

Ref. Sa shumë e dua, o Zot, ligjin tënd.

 

129 Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,

prandaj i mban shpirti im.

130 Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:

të miturit i bën të urtë.

 

Ref. Sa shumë e dua, o Zot, ligjin tënd.

 

Leximi i dytë (Rom 8, 28-30) (fq. 1598)

 

Na paracaktoi të jemi të ngjashëm me Birin e tij.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 28 ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur.

29 Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit dhe i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Ungjilli (Mt 13, 44-52) ose forma e shkurtër (Mt 13, 44-46) (fq. 1402/3)

 

Shet gjithçka ka dhe blen atë arë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. 45 Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

(47 Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. 48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. 49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

51 “A i kuptuat të gjitha këto? “Po! iu përgjigjën ata. 52 E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.”)

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 102, 2

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ose: Mt 5, 7-8

 

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.

 

Lutja pas kungimit

 

E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.