Leximet e ditës

JAVA E XVII GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36

 

Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 13, 1-11) (fq. 1070)

 

Populli i Izraelit do të bëhet sikurse ky brez që s’vlen më për kurrgjë.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

 

1 Kështu më tha Zoti: “Shko e bleje një brez të linjtë dhe ngjeshi me të ijët e tua, por mos e shtjer në ujë.” 2 Unë e bleva brezin si më tha Zoti dhe e ngjesha rreth ijëve të mia.

3 Së dyti më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 4 “Merre brezin që bleve, që e ke rreth belit tënd, çohu e shko në Eufrat dhe fshehe atje në një vrimë shkëmbi”. 5 Shkova dhe e fsheha te Eufrati siç më kishte urdhëruar Zoti.

6 Pas shumë ditësh Zoti më tha: “Ngrehu e shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova ta fshehësh atje”. 7 Shkova tek Eufrati, e hapa vrimën dhe e nxora brezin nga vendi, ku e kisha fshehur, dhe, ja, brezi ishte kalbur, ashtu që s’vlente më për kurrgjë.

8 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 9 ”Kështu do të bëj të kalbet krenaria e madhe e Judës dhe e Jerusalemit. 10 Ky popull tejet i keq që s’duan t’i dëgjojnë fjalët e mia dhe jetojnë sipas zemërkeqësisë së tyre dhe shkuan pas zotave të huaj për t’u shërbyer e për t’i adhuruar do të jetë porsi ky brez që s’vlen më për kurrgjë. 11 Sepse, sikurse brezi që ngjeshët rreth ijëve të njeriut, kështu kam dashur që të ngjeshët rreth meje mbarë shtëpia e Izraelit e mbarë shtëpia e Judës - është fjala e Zotit – që të jetë populli im zëri im i mirë, lavdia ime, nderi im, por nuk dëgjuan!”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Lp 32, 18-19.20.21 (fq. 255)

 

Ref. E harrove Hyjin që të lindi.

 

18 E ke lënë Qetën që të lindi,

harrove Krijuesin tënd!

19 Pa Zoti dhe i përbuzi,

sepse e nguci bami i vet.

 

Ref. E harrove Hyjin që të lindi.

 

20 “Fytyrën tha do ta fsheh prej tyre,

do të shikoj se ç’fund do të kenë!

Vërtet janë pjellë shumë e keqe,

bij, në të cilët besë nuk ka.

 

Ref. E harrove Hyjin që të lindi.

 

21 Më ngucën me zota të rrejshëm,

më hidhëruan me idhuj të kotë.

Do t’i ngucë edhe vetë me një popull,

që s’është popull askund, fare.

 

Ref. E harrove Hyjin që të lindi.

 

Aleluja!

Ai na lindi në saje të vullnet të vet, nëpër fjalën e së vërtetës, që të jemi njëfarë fryti të parë të krijesave të tija. (krh. Jak 1, 18)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 13, 31-35) (fq. 1402)

 

Kokrra e sinapit zhvillohet në lëndë sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 31 Jezusi i tregoi turmës një shëmbëlltyrë tjetër; Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

3 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë.” 34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit: ‘Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës’.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 102, 2

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ose: Mt 5, 7-8

 

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.

 

Lutja pas kungimit

 

E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.