Leximet e ditës

JAVA E XVII GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36

 

Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 14, 17-22) (fq. 1072/3)

 

Le të bie ndër mend, o Zot! Mos e the Besëlidhjen tënde që e bëre me ne.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

 

Zoti tha: 17 Le të derdhin lot sytë e tu natë e ditë e të mos pushojnë, sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh virgjëra, bija e popullit tim, me plagë të rëndë, të pashërueshme! 18 Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, e nëse hyj brenda në qytet, asht e lëkurë të bërë prej urisë: profet e prift enden nëpër vend e më asgjë nuk marrin vesh. 19 Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? Po a aq fort t’u neverit Sioni? Përse ne aq na godite, sa të mos kemi shpresë shërimi? Prisnim paqen, por të mirë s’ka, kohë shërimi dhe, ja, tmerri!

20 E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë, mbrapshtinë e etërve tanë: po, mëkatuam kundër teje! 21 Mos na dëbo, pash Emrin tënd, mos e turpëro fronin e lavdisë sate! Të të bjerë ndër mend për të mirë e mos e prish Besëlidhjen tënde me ne! 22 Pse a ka ndër idhuj ndonjë që jep shi? Pse vetë a qielli i jep shirat? Pse a s’je ti, o Zot, Hyji ynë, në të cilin ne shpresojmë?! Ti je Ai që të gjitha këto i bën!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 79 (78), 8.9.11.13 (fq. 749)

 

Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.

 

8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,

le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,

sepse jemi bërë tepër të mjerë.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.

 

9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,

për nder të Emrit tënd e na çliro:

pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!

 

Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.

 

11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve,

me fuqinë e krahut tënd

shpëtoji të dënuarit me vdekje.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.

 

13 E ne, populli yt delet e kullotës sate,

do të të lavdërojmë për amshim,

do ta shpallim nga brezi në brez

lavdinë tënde.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, për lavdinë e emrit tënd.

 

Aleluja!

Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti: kush e gjen atë e ka jetën. (krh. Mt 13, 19.23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 13, 36-43) (fq. 1402)

 

Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë 36 Jezusi e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: »Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.«

37 Ai u përgjigj: »Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Kortarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i hedhur jashtë Mbretërisë së tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka vesh, le të dëgjojë!

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 102, 2

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ose: Mt 5, 7-8

 

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.

 

Lutja pas kungimit

 

E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.