Leximet e ditës

JAVA E XVII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36

 

Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 15, 10.16-21) (fq. 1073/4)

 

Përse fund s’merr dhimbja ime. Nëse ti kthehesh tek unë do të qëndrosh prapë para meje.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

 

10 I mjeri unë, o nëna ime, që më linde njeri grindjesh e kundërshtimi për mbarë vendin! Hua s’mora as nuk i dhashë kujt, megjithatë, të gjithë më mallkojnë!

16 Kur më erdhën fjalët e tua, i përpija, fjala jote për mua u bë gëzim e hare në zemrën time, sepse u quajta me emrin tënd, o Zot, Hyji i Ushtrive.

17 Kurrë nuk ndenja për t’u kënaqur në shoqërinë e ëndjetarëve, por i nxitur prej dorës sate rrija vetëm, sepse më mbushe me zemërim. 18 Përse fund s’merr dhimbja ime dhe plaga ime e pashërueshme s’do të shërohet? Oh a do të jesh për mua një përrua me ujë të pasigurt?

19 Për këtë punë Zoti m’u përgjigj: “Nëse ti kthehesh e me lejon të të kthej, do të qëndrosh prapë para meje, nëse e dallon gjënë e çmueshme prej të pavlefshmes, ti do të bëhesh goja ime.

Ata do të kthehen kah ti, nuk ke nevojë të kthehesh kah ata. 20 Ty do të të bëj unë për këtë popull mur të fortë prej tumbakut. Do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë, sepse unë me ty do të jem që të të shpëtoj e të të liroj, është fjala e Zotit! 21 Do të të shpëtoj prej dorës së mëkatarëve, do të të shpaguaj prej dorës së mujsharëve”.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 59 (58), 2-3.4-5a.10-11.17.18 (fq. 722)

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

2 Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi,

më mbro prej sulmuesve të mi!

3 Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen,

më shpëto prej atyre që derdhin gjak!

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

4 Ja, ia vunë pritën jetës sime,

u sulën kundër meje të fortët!

5 E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot.

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

10 Fuqia ime, ty të pres,

sepse ti, o Hyj, je kështjella ime.

11 Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë,

Hyji do të bëjë t’i shikoj nga lart armiqtë e mi.

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

17 Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde,

në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde,

sepse ti qe kështjella ime,

strehimi im në ditën e rrezikut tim.

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

18 Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj,

sepse, ti o Hyj, je kështjella ime:

Hyji im, dashuria ime!

 

Ref. O Zot, ti je streha ime ditën e ngushticës sime.

 

Aleluja!

Ju quajta miq, thotë Zoti, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. (Gjn 15, 15b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 13, 44-46) (fq. 1402)

 

Shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

5 Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 102, 2

 

Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.

 

Ose: Mt 5, 7-8

 

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.

 

Lutja pas kungimit

 

E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.