Leximet e ditës
JAVA E XVII GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36
Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.
Kolekta
O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 18, 1-6) (fq. 1076/7)
Ju jeni në duart e mia si deltina në dorën e vegsharit!
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
1 Kjo fjalë i qe drejtuar prej Zotit Jeremisë: 2 “Çohu e zbrit në shtëpi të vegsharit dhe aty do t’i dëgjosh fjalët e mia!”
3 Unë zbrita në shtëpinë e vegsharit dhe, ja, ai po punonte në çarkun e vet. 4 Dhe iu prish ena që ai po e punonte prej balte me duart e veta, por përsëri me atë deltinë, punoi një enë tjetër, siç i pëlqente atij të bëjë.
5 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 6 “Pse a nuk mund të sillem me ju si ky vorbëtar, o shtëpia e Izraelit? tha Zoti. Ja, ju jeni në duart e mia, o shtëpia e Izraelit, si deltina në dorën e vegsharit!
Fjala e Zotit
Psalmi 146 (145), 1b-2.3-4.5-6ab (fq. 826)
Ref. I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit.
1 Lavdëroje, shpirti im, Zotin!
2 Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time,
derisa të jem, Hyjit tim do t’i këndoj.
Ref. I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit.
3 Mos e vini shpresën tuaj në princa,
në njeri që s’është i zoti të shpëtojë.
4 Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet,
brenda një dite humbasin synimet e tija.
Ref. I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit.
5 I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit,
që e ka shpresën në Zotin, Hyjin e vet,
6 i cili krijoi qiellin e tokën,
detin e gjithçka është në ta.
Ref. I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit.
Aleluja!
Hape, o Zot, zemrën tonë që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. (krh. Vap 16, 14b)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 13, 47-53) (fq. 1402/3)
I mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi i tha nxënësve të vet : 47 Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku.
48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. 49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”
51 “A i kuptuat të gjitha këto? Po! ‑ iu përgjigjën ata. 52 E ai u tha:
“Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.” 53 Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 102, 2
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.
Ose: Mt 5, 7-8
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.