Leximet e ditës
JAVA E XVII GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36
Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.
Kolekta
O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 26, 1-9) (fq. 1087)
Atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: “Do të shkojë koka!”
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
1 Në fillim të mbretërimit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, Jeremisë i qe drejtuar prej Zotit kjo fjalë:
2 ”Kështu thotë Zoti: Qëndro në treme të Shtëpisë së Zotit dhe thuaju të gjitha qyteteve të Judës, prej të cilave vijnë për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që unë të kam urdhëruar t’ua thuash: ruaju se e mungon ndonjë fjalë. 3 Ndoshta dëgjojnë e kthehen secili nga udha e vet e keqe, e të pendohem edhe vetë për të keqen që kam në mend t’ua bëj atyre për shkak të veprave të tyre të këqija. 4 Thuaju, pra: Kështu thotë Zoti: Nëse nuk do të më dëgjoni të ecni sipas Ligjit tim, që jua kam dhënë, 5 duke i dëgjuar fjalët e shërbëtorëve të mi profetë, që unë i kam dërguar vazhdimisht, megjithëse deri tani nuk i keni dëgjuar, 6 do të sillem me këtë Tempull porsi me Silon e këtë qytet do ta bëj mallkim për të gjithë popujt e tokës.”
7 Priftërinj, profetë e mbarë populli e dëgjuan Jereminë duke i folur këto fjalë në Shtëpinë e Zotit. 8 Kur Jeremia u dha fund të gjitha fjalëve që ia kishte urdhëruar Zoti t’ia thotë mbarë popullit, atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: “Do të shkojë koka! 9 Pse ti e bëre këtë profeci në emër të Zotit: ‘Ky Tempull do të bëhet si Siloja e ky qytet do të shkretohet, sepse askush në të nuk do të banojë!’“ Dhe u grumbullua kundër Jeremisë mbarë populli në Shtëpinë e Zotit.
Fjala e Zotit
Psalmi 69 (68), 5.8-10.14 (fq. 733)
Ref. Në mirësinë tënde të madhe, mu përgjigj, o Hyj.
5 Më shumë se flokët e kresë sime
janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
armiqtë e mi rrenacakë.
Ref. Në mirësinë tënde të madhe, mu përgjigj, o Hyj.
8 Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin,
turpi ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi,
i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde,
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
Ref. Në mirësinë tënde të madhe, mu përgjigj, o Hyj.
14 E pra, unë ty të lutem, o Zot,
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde,
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Ref. Në mirësinë tënde të madhe, mu përgjigj, o Hyj.
Aleluja!
Fjala e Zotit mbetet në amshim: kjo fjalë është Ungjilli që ju qe shpallur. (1 Pjt 1, 25)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 13, 54-58) (fq. 1403)
Po a nuk është ky biri i zdrukthëtarit? Nga i erdhën këtij të gjitha këto?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi, 54 si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 55 Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të.
Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!” 58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 102, 2
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.
Ose: Mt 5, 7-8
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.