Leximet e ditës
JAVA E XVII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36
Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.
Kolekta
O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 26, 11-16.24) (fq. 1087/8)
Zoti më dërgoi ndër ju për t’ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Në ato ditë, 1 priftërinjtë e profetët u thanë krerëve dhe mbarë popullit: “Ky njeri meriton gjykimin për vdekje, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti sikurse dëgjuat me veshët tuaj.”
12 Por Jeremia u tha të gjithë prijësve dhe mbarë popullit: “Zoti më dërgoi të profetizoj kundër kësaj Shtëpie e kundër këtij qyteti të gjitha këto fjalë që i dëgjuat. 13 Tashti, pra, përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja dhe dëgjoni fjalën e Zotit, Hyjit tuaj: atëherë edhe Zoti do të pendohet për të keqen që ju ka kërcënuar se do t’jua bëjë. 14 Sa për mua, ja, unë jam në duart tuaja. Bëni me mua si jua pret mendja se është mirë e drejt. 15 Megjithatë, dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm; sepse me të vërtetë Zoti më dërgoi ndër ju për t’ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.”
16 Atëherë prijësit e mbarë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: “Ky njeri nuk duhet të dënohet me vdekje, sepse na ka folur në emër të Zotit, Hyjit tonë.” 24 Jereminë e mori në ndore Ahikami, biri i Safanit, që të mos lëshohej në duar të popullit e të mos vritej.
Fjala e Zotit
Psalmi 69 (68), 15-16.30-31.33-34 (fq. 733)
Ref. Në kohën e mirësisë, më dëgjo, o Zot.
15 Më nxirr nga lymi të mos humbas,
më shpëto prej atyre që më urrejnë,
prej ujërave të thella!
16 Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave,
mos lejo të më përpijë thellësia,
të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
Ref. Në kohën e mirësisë, më dëgjo, o Zot.
30 Mua të mjerin e të pikëlluarin:
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë,
do ta lartësoj me këngë falënderimi.
Ref. Në kohën e mirësisë, më dëgjo, o Zot.
33 Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Ref. Në kohën e mirësisë, më dëgjo, o Zot.
Aleluja!
Lum ata që salvohen për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (krh. Mt 5, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 14, 1-12) (fq. 1403)
Herodi dërgoi që t’ia shkurtonin kryet Gjonit e nxënësit e Gjonit shkuan dhe i treguan Jezusit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin 2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!”
E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4 Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” 5 Herodi donte ta vrasë, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.
6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të grishurve dhe aq i pëlqeu Herodit, 7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i japë çkado që t’i kërkojë. 8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep ‑ tha ‑ këtu në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit!”
9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të grishurve, urdhëroi t’i jepet. 10 Dërgoi dikë dhe ia shkurtoi Gjonit kryet në burg. 11 Kryet e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.
12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin e tij dhe e varrosën, pastaj shkuan dhe i treguan Jezusit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 102, 2
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.
Ose: Mt 5, 7-8
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.