Leximet e ditës
JAVA E XVIII GJATË VITIT
E HËNË
O Hyj, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh. Ti je ndihmëtari e shpëtimtari im: o Zot, mos vono.
Kolekta
O Zot, qëndro me ne, shërbëtorët e tu dhe na trego mirësinë tënde të përjetshme, e pasi mburremi se je krijuesi dhe sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen, e çka të përtërish bëje të qëndrueshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 28, 1-17) (fq. 1089/90)
Anani, Zoti ty nuk të ka dërguar e ti bëre që populli ta besojë rrenën!
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
1 Po atë vit, në fillim të Mbretërisë së Sedecisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më tha Anania, biri i Azurit, profeti i Gabaonit, në Tempullin e Zotit ndër sy të priftërinjve e të mbarë popullit: 2 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: E copëtova zgjedhën e mbretit të Babilonisë! 3 Edhe dy vjet e unë do të bëj të kthehen në këtë vend të gjitha enët e Shtëpisë së Zotit, që i pati marrë Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e i pati çuar në Babiloni. 4 Po edhe Jekoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, me të gjithë të treturit e Judës, që i shpuri në Babiloni, do t’i kthej në këtë vend, është fjala e Zotit sepse unë do ta copëtoj zgjedhën e mbretit të Babilonisë.”
5 Atëherë Jeremia profet iu përgjigj Ananisë profet, para syve të priftërinjve dhe ndër sy të mbarë popullit, që ishte në Shtëpinë e Zotit, 6 dhe Jeremia profet i tha: “Ashtu qoftë! Ashtu e bëftë Zoti! Dashtë i madhi Zot e i çoftë në vend sendet që ti i parakallëzove, që të kthehen enët në Shtëpinë e Zotit edhe të gjithë të shpërngulurit të kthehen prej Babilonisë në këtë vend! 7 Megjithatë, dëgjoje mirë këtë fjalë që po ta them në veshë të tu e në veshë të mbarë popullit: 8 Profetët që qenë para meje e para teje, prej kohëve më të lashta, parakallëzuan kundër vendeve të shumta e mbretërive të mëdha luftë, vuajtje e murtajë; 9 kurse për profetin që parakallëzon paqen, kur t’i plotësohet fjala, atëherë do të dihet se është profet, të cilin vërtet e ka dërguar Zoti.”
10 Atëherë Anania profet e hoqi prej qafës së Jeremisë profet zgjedhën dhe e theu. 11 Atëherë foli Anania në sy të mbarë popullit e tha: “Kështu thotë Zoti: Kështu do ta copëtoj zgjedhën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, pas dy vjetësh prej qafës së të gjithë popujve.” Atëherë Jeremia profet shkoi në punë të vet. 12 Tashti, pasi Anania profet e theu zgjedhën që e hoqi nga qafa e Jeremisë profet fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë profet. I tha: 13 ”Shko e thuaji Ananisë: Kështu thotë Zoti: I theve zgjedhat e drunjta? Në vend të tyre do të duhet t’i punosh të hekurta! 14 Sepse, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Zgjedhë të hekurt mbërtheva mbi qafën e të gjithë këtyre popujve që të bëhen skllevër të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë: dhe do të bëhen skllevërit e tij; për më tepër atij ia lashë në shërbim deri edhe egërsirat e malit!”
15 Jeremia profet i tha Ananisë profet: “Dëgjo, Anani! Zoti ty nuk të ka dërguar e ti bëre që populli ta besojë gënjeshtrën! 16 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po të dëboj nga faqja e këtij vendi; sivjet do të vdesësh, sepse ti ke predikuar kryengritjen kundër Zotit!”
17 Po atë vit, në muajin e shtatë, vdiq Anania profet.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118), 29.43.79.80.95.102 (fq. 797)
Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.
9 Më mbaj larg nga udha e gënjeshtrës,
më pajis me Ligjin tënd.
43 Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës,
sepse kam besim në gjyqet e tua.
Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.
79 Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë,
ata që i njohin dëshmitë e tua.
80 U përsostë zemra ime në rregulloret e tua,
që kurrë të mos turpërohem.
Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.
95 Të mbrapshtët mundohen të më humbasin;
por unë i kujtoj porositë e tua.
102 Nuk u shmangem gjyqeve të tua,
sepse ti ma dhe Ligjin.
Ref. Mos e hiq prej gojës sime, o Zot, fjalën e së vërtetës.
Aleluja!
Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit! (Gjn 1, 49)
Aleluja!
Ose
Aleluja!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 14, 13-21) (fq. 1403/4)
I çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 13 kur Jezusi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.
15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.” 16 Jezusi u përgjigj: Nuk është nevoja të shkojnë: jepnu ju të hanë!” 17 Ata iu përgjigjën: S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.” 18 Jezusi vijoi: M’i sillni këtu!” 19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës. 20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë burra.
Fjala e Zotit
Ose gjatë vitit A:
Ungjilli (Mt 14, 22-36) (fq. 1404)
Fepakët! Përse dyshove!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, pasi që turma kishte ngrenë, 22 Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndajë popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”
28 Pjetri iu përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” 29 “Eja!” ‑ i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” 31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!”
32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”
34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 Iu lutnin t’u lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, këto dhurata, pranoji si fli shpirtërore të shërbesës sonë dhe bëj që ne vetë të bëhemi fli e amshuar për ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ur 16, 20
Na e dhe, o Zot, bukën qiellore, që ka në vete çdo ëmbëlsirë dhe është e pëlqyeshme për çdo shije.
Ose: Gjn 6, 35
Unë jam buka e jetës, thotë Zoti. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Lutja pas kungimit
Pasi, o Zot, na përtërin me dhurata qiellore, na shoqëro gjithmonë me mbrojtjen tënde dhe pasi nuk na mungon kurrë dashuria jote, na bëj të denjë për shëlbimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.