Leximet e ditës
JAVA E XVIII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 69, 2.6
O Hyj, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh. Ti je ndihmëtari e shpëtimtari im: o Zot, mos vono.
Kolekta
O Zot, qëndro me ne, shërbëtorët e tu dhe na trego mirësinë tënde të përjetshme, e pasi mburremi se je krijuesi dhe sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen, e çka të përtërish bëje të qëndrueshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 30, 1-2.12-15.18-22) (fq. 1091/2)
Për shkak të së keqes sate të madhe t’i çova të gjitha këto të këqija. Ja unë do ta përmirësoj fatin e tendave të Jakobit.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
1 Fjala që i qe drejtuar nga ana e Zotit Jeremisë. Ai i tha: 2 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Shkruaji në një libër të gjitha fjalët që t’i kam drejtuar.
12 Sepse Zoti kështu thotë: Plaga jote është e pashërueshme, varra jote është shumë e rëndë. 13 Për plagë tënde barna s’ka, varra jote s’do të bëjë vërragë!
14 Dashnorët e tu të gjithë të harruan, nuk pyesin më për ty. Të rashë siç di të bjerë armiku, të ndëshkova me ndëshkim të rreptë, për shkak të t’këqijave të tua të shumta, për të shumtat fajet e tua!
15 Pse qan për plagët e tua? E pashërueshme është plaga jote. Për shkak të së keqes sate të madhe e për shkak të fajeve të tua të rënda, t’i çova të gjitha këto të këqija.
18 Kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do ta përmirësoj fatin e tendave të Jakobit, mëshirë do të kem për banesat e tija: mbi rrënojat e tija qyteti do të ndërtohet, në vendin e vet kalaja do të ndreqet, 19 prej tyre do të jehojë brohoritja e britma e atyre që gëzojnë!
Do t’i shumoj e s’do t’i pakësoj, do t’i bëj të nderuar e nuk do të përbuzen. 20 Bijtë e tij do të jenë porsi dikur, bashkësia e tij para meje do të qëndrojë e patrandshme, do t’i ndëshkoj të gjithë kundërshtarët e tij.
21 Prijësi i tij prej tij do të dalë, sundimtari i tij prej tij do të ngritet: të më qaset do ta lë dhe ai do të më afrohet. Sepse kush është ai që guxon në rrezik ta vërë jetën për të m’u afruar? - është fjala e Zotit!
22 Ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj!
Fjala e Zotit
Psalmi 102 (101), 16-18.19-21.29.22-23 (fq. 773)
Ref. Na trego, o Zot, shkëlqimin tënd.
16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot,
të gjithë Mbretërit e tokës lavdinë tënde.
17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin,
u dëftua në lavdinë e vet.
18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Ref. Na trego, o Zot, shkëlqimin tënd.
19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve,
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
Ref. Na trego, o Zot, shkëlqimin tënd.
29 Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe,
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.”
22 që në Sion të shpallet Emri i Zotit
e lavdia e tij në Jerusalem,
23 kur të mblidhen së bashku popujt e Mbretëritë
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Ref. Na trego, o Zot, shkëlqimin tënd.
në vitin A:
Aleluja!
Hape, o Zot, zemrën tonë që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. (krh. Vap 16, 14b)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 15, 1-2.10-14) (fq. 1404/5)
Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 1 disa farisenj e skribë nga Jerusalemi iu afruan Jezusit e i thanë: 2 “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!”
10 Atëherë e grishi popullin t’i afrohet dhe i tha: 11 “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja - ajo e bën njeriun të papastër!”
12 Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë: “A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?”
13 Jezusi u përgjigj: “Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë. 14 Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbrit, të dy bien në gropë.”
Fjala e Zotit
Ose në vitin B dhe C:
Aleluja!
Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit! (Gjn 1, 49)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 14, 22-36) (fq. 1404)
Fepakët! Përse dyshove!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, pasi që turma kishte ngrenë, 22 Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndajë popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”
28 Pjetri iu përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” 29 “Eja!” ‑ i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” 31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!”
32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”
34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 Iu lutnin t’u lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, këto dhurata, pranoji si fli shpirtërore të shërbesës sonë dhe bëj që ne vetë të bëhemi fli e amshuar për ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ur 16, 20
Na e dhe, o Zot, bukën qiellore, që ka në vete çdo ëmbëlsirë dhe është e pëlqyeshme për çdo shije.
Ose: Gjn 6, 35
Unë jam buka e jetës, thotë Zoti. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Lutja pas kungimit
Pasi, o Zot, na përtërin me dhurata qiellore, na shoqëro gjithmonë me mbrojtjen tënde dhe pasi nuk na mungon kurrë dashuria jote, na bëj të denjë për shëlbimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.