Leximet e ditës

JAVA E XVIII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Ps 69, 2.6

 

O Hyj, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh. Ti je ndihmëtari e shpëtimtari im: o Zot, mos vono.

 

Kolekta

 

O Zot, qëndro me ne, shërbëtorët e tu dhe na trego mirësinë tënde të përjetshme, e pasi mburremi se je krijuesi dhe sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen, e çka të përtërish bëje të qëndrueshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 31, 1-7) (fq. 1092/3)

 

Të desha me dashuri të amshueshme.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

 

1 Në atë kohë, është fjala e Zotit, unë do të jem Hyji i të gjitha fiseve të Izraelit dhe ato do të jenë populli im. 2 Kështu thotë Zoti: Gjeti hir në shkretëtirë populli që i shpëtoi shpatës: Izraeli po shkon drejt vendbanimit të vet!

3 Prej së largu mua Zoti m’u dëftua: “Të desha me dashuri të amshueshme, prandaj mëshirën ruajta për ty. 4 Përsëri do të të ndërtoj e do të ndërtohesh, o virgjëra e Izraelit! Përsëri do të stolisesh me tupanat e tu e do të hidhesh në valle! 5 Prapë do të mbëltosh vreshta në malet e Samarisë: do të mbëltisin mbëltitsit e do të vjelin të vjela! 6 Sepse do të vijë dita kur rojtarët do të bërtasin në malin e Efraimit: “Mëkëmbni! Të ngjitemi në Sion, te Zoti, Hyji ynë!” 7 Sepse kështu thotë Zoti: Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj, t’ju kumtojë zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, Tepricat e Izraelit!’

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Jer 31, 10.11-12ab.13 (fq. 1093)

 

Ref. Zoti e ruan popullin, si bariu grigjën e vet.

 

10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,

shpalleni ndër ishuj të largët!

Thoni: “Ai që e shpërndau Izraelin

përsëri po e bashkon,

do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.

.

Ref. Zoti e ruan popullin, si bariu grigjën e vet.

 

11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

e çliroi nga dora e më të fortit.

12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde

në malin e Sionit,

do të ngarendin drejt të mirave të Zotit.

 

Ref. Zoti e ruan popullin, si bariu grigjën e vet.

 

13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,

djelmoshat së bashku me pleq.

Zinë e tyre në galdim do ta kthej,

do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.

 

Ref. Zoti e ruan popullin, si bariu grigjën e vet.

 

Aleluja!

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet! (Lk 7, 16)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 15, 21-28) (fq. 1405)

 

Grua e madhe është feja jote!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kaanani, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare.

Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” 24 Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë më nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” 26 Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve.” 27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.” 28 Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, këto dhurata, pranoji si fli shpirtërore të shërbesës sonë dhe bëj që ne vetë të bëhemi fli e amshuar për ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ur 16, 20

 

Na e dhe, o Zot, bukën qiellore, që ka në vete çdo ëmbëlsirë dhe është e pëlqyeshme për çdo shije.

 

Ose: Gjn 6, 35

 

Unë jam buka e jetës, thotë Zoti. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

 

Lutja pas kungimit

 

Pasi, o Zot, na përtërin me dhurata qiellore, na shoqëro gjithmonë me mbrojtjen tënde dhe pasi nuk na mungon kurrë dashuria jote, na bëj të denjë për shëlbimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.