Leximet e ditës

6 Gusht

 

SHNDËRRIMI I ZOTIT

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Mt 17, 5

 

Shpirti Shenjt u dëftua në re të shndritshme dhe u dëgjua zëri i Atit: Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër: Atë dëgjojeni!

 

Thuhet Lavdi.

 

8. Mandej, kur është e caktuar, këndohet apo thuhet himni:

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të të Njëlindurit Birit tënd i përforcove sakramentet e fesë me dëshmimin e Etërve dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd, që të bëhemi bashkëtrashgimtarë me të, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Dan 7, 9-10.13-14) (fq. 1218/9)

 

Petku i tij i bardhë porsi bora.

 

Lexim prej Librit të Danielit profet

 

9 Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti u ul. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!

10 Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miriarda miriardash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat! 13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. 14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij pushtet i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 97 (96), 1-2.5-6.9 (fq. 769)

 

Ref. Zoti mbretëron, Hyji i mbarë tokës.

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,

le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë rreth tij,

e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Ref. Zoti mbretëron, Hyji i mbarë tokës.

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet,

para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,

të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

Ref. Zoti mbretëron, Hyji i mbarë tokës.

 

Sepse ti je, o Zot,

i Tejetlarti mbi mbarë dheun,

ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Ref. Zoti mbretëron, Hyji i mbarë tokës.

 

Leximi i dytë (2 Pjt 1, 16-19) (fq. 1716)

 

Këtë zë e dëgjuam së si zbriste nga qielli.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Pjetrit apostull

 

Fort të dashur, 16 ne nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij. 17 Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: »Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa«. 18 - të cilin zë, që zbriste nga qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë. 19 Kështu u vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - derisa të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Prej resë u dëgjua zëri: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” (Krh. Mk 9, 7)

Aleluja!

 

Viti A

 

Ungjilli (Mt 17, 1-9) (fq. 1407)

 

Fytyra i shkëlqeu porsi dielli.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 1 Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. 2 Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. 3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.

4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po i ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” 6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. 7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” 8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.

9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”

 

Fjala e Zotit

 

Kur kjo festë bie të dielën, thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, për misterin e Shndërrimit të të Njëlindurit Birit tënd, shenjtëroji këto dhurata dhe me shkëlqimin e dritës së tij na pastro prej njollave të mëkateve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Prefacioni: Misteri i Shndërrimit

 

M Zoti qoftë me ju.

P Dhe me shpirtin tënd.

M T’i lartësojmë zemrat.

P I kemi te Zoti.

M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai ua zbuloi lavdinë e vet dëshmitarëve që vetë i zgjodhi

dhe trupi i tij, i ngjashëm me tonin,

qe veshur me një shkëlqim të madh;

në këtë mënyrë i përgatiste zemrat e nxënësve të vet

për ta përballuar skandalin e kryqit

dhe parashënonte në trupin e vet

çka do t’i ndodhë edhe trupit të tij mistik, Kishës.

Dhe prandaj me fuqitë qiellore

gjithherë të kremtojmë mbi tokë

duke i kënduar madhërisë sate pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. 1 Gjn 3, 2

 

Kur Krishti të dëftohet, do të jemi si Ai, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, në shndërrimin e lavdishëm të Birit tënd Ti deshe të na e dëftosh shkëlqimin e tij; bëj që ky ushqim qiellor që morëm të na shndërrojë në përngjasimin e tij, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.