Leximet e ditës
JAVA E XVIII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Ps 69, 2.6
O Hyj, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh. Ti je ndihmëtari e shpëtimtari im: o Zot, mos vono.
Kolekta
O Zot, qëndro me ne, shërbëtorët e tu dhe na trego mirësinë tënde të përjetshme, e pasi mburremi se je krijuesi dhe sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen, e çka të përtërish bëje të qëndrueshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Hab 1, 12 - 2, 4) (fq. 1282)
Në saje të fesë së vet jeton i drejti!
Lexim prej Librit të Habakukut profet
Pse, 12 a s’je ti, o Zot, që prej fillimit Hyji im, Shenjti im që nuk vdes kurrë? E caktove, o Zot, që të ushtrojë të drejtën, Shkëmbi im, e themelove për të ndëshkuar!
13 Ti, që sytë i ke aq të pastër sa që s’mund ta shikojnë të keqen, paudhësinë s’mund ta kundrosh, pse i shikon të mbrapshtët e heshton kur i keqi e përpin më të drejtin? 14 I bëre njerëzit si peshq deti, zvarranikë që zot nuk kanë mbi vete. 15 Të gjithë i gjuan kaldeu me grep. Të gjithë i nxjerr jashta me rrjetë, i bashkon në kariq të vet: për këtë gjë gëzon e galdon! 16 Këndej edhe rrjetës i kushton fli, kariqit të vet kem i djeg, sepse i sjellin kafshatë të majme, ushqim të shijshëm! 17 A për këtë, thua, do të nxjerrë shpatën për të prerë popuj pa farë mëshire?!
2,1 Do të qëndroj në rojën time, do të ngjitem në majë të vrojtores, do të vëzhgoj të shoh çka do të më thotë, ç’do të më përgjigjet në ankimin tim. 2 Zoti atëherë më përgjigji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavrroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. 3 Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk gënjen; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! 4 Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në sajë të fesë së vet jeton i drejti!
Fjala e Zotit
Psalmi 9, 8-9.10-11.12-13 (fq. 666)
Ref. Ti nuk e braktis, o Zot, atë që të kërkon.
8 Zoti sundon në jetë të jetës,
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
9 Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën,
ua jep popujve dënimin e drejtë.
Ref. Ti nuk e braktis, o Zot, atë që të kërkon.
10 Zoti është strehimi i të salvuarit,
vend i sigurt për ditë të vështira.
11 Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd,
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
Ref. Ti nuk e braktis, o Zot, atë që të kërkon.
12 Këndoni Zotit që banon në Sion,
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tija!
13 Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta,
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
Ref. Ti nuk e braktis, o Zot, atë që të kërkon.
Aleluja!
Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti e asgjësoj vdekjen dhe bëri të shndrit jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. (2 Tim 1, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 17, 14-20) (fq. 1408)
Në paçit fe, asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 14 iu afrua Jezusit një njeri, ra në gjunjë para tij 15 dhe i tha: “Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! 16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”
17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!” 18 Atëherë Jezusi i urdhëroi djallit e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.
19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?” 20 Ai u përgjigj: “Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’ do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”
Lutja mbi dhurata
Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, këto dhurata, pranoji si fli shpirtërore të shërbesës sonë dhe bëj që ne vetë të bëhemi fli e amshuar për ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ur 16, 20
Na e dhe, o Zot, bukën qiellore, që ka në vete çdo ëmbëlsirë dhe është e pëlqyeshme për çdo shije.
Ose: Gjn 6, 35
Unë jam buka e jetës, thotë Zoti. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Lutja pas kungimit
Pasi, o Zot, na përtërin me dhurata qiellore, na shoqëro gjithmonë me mbrojtjen tënde dhe pasi nuk na mungon kurrë dashuria jote, na bëj të denjë për shëlbimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.