Leximet e ditës

JAVA E XIX GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 73, 20.19.22.23

 

Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu. Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde, e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë: përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Mbr 19, 9a.11-13a) (fq. 428)

 

Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 9 pasi që Elia arriti në malin Horeb, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli”? 11 “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”.

Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërrmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! 12 Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. 13 Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 85 (84), 9.10.11-12.13-14 (fq. 755)

 

Ref. Na dëfto, o Zot, mëshirën tënde.

 

9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

10 Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

 

Ref. Na dëfto, o Zot, mëshirën tënde.

 

11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

12 E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

 

Ref. Na dëfto, o Zot, mëshirën tënde.

 

13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

14 Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

 

Ref. Na dëfto, o Zot, mëshirën tënde.

 

Leximi i dytë (Rom 9, 1-5) (fq. 1598/9)

 

Do të dëshiroja unë vetë të isha i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 1 them të vërtetën në Krishtin nuk rrej dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: 2 ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. 3 Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombëtarëve të mi për kah gjaku.

4 Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; 5 të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij. (Ps 129/130, 5)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 14, 22-33) (fq. 1404)

 

Urdhëro e unë do të vij te ti përmbi ujë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Pasi që e ngiu turmën, 22 Jezusi aty për aty i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur.

Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm. 24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era kundërt. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!” 28 Pjetri u përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” 29 “Eja!” i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” 31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!” 32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate, të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar dhe me pushtetin tënd shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 147, 12.14

 

Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin, sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.

 

Ose: Krh. Gjn 6, 52

 

Buka që unë do t’ju jap është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na shpëtoftë, o Zot, pjesëmarrja në sakramentet e tua dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.