Leximet e ditës

10 gusht

 

SHËN LORENCI, DIAKON E MARTIR

 

Festë

 

Antifona e hyrjes

 

Ky është shën Lorenci që e flijoi vetveten në shërbimin e Kishës; prandaj i meritoi mundimet e martirit

për t’u bashkuar me gëzim me Jezu Krishtin Zot.

 

Thuhet Lavdi.

 

8. Mandej, kur është e caktuar, këndohet apo thuhet himni:

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të lavdishëm me martirizim: bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Kor 9, 6-10) (fq. 1634)

 

Hyji e do atë që jep me gëzim.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 6 “Kush mbjell me horrjati, pak do të korrë, e kush mbjell me begati, me begati do të korrë.” 7 Secili le të japë aq sa ia do zemra, jo i trishtuar e përdhunë, sepse: ‘Hyji e do atë që jep me gëzim.’

 8 Hyji mund t’ju dhurojë çdo të mirë që gjithmonë të keni gjithçka mjaft për vete e t’ju teprojë gjithnjë për të ndihmuar çdo vepër të mirë, 9 sikurse është në Shkrimin e shenjtë: ‘Ai ndan me bujari, u jep skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në amshim’.

10 Ai që mbjellësit i jep farën, ai do t’i japë edhe bukën për ushqim. Ai edhe juve do t’ju japë farë e do ta shumëzojë dhe do të bëjë të rriten frytet e drejtësisë suaj.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 112 (111), 1-2.5-6.9 (fq. 790)

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

1 Lum ai njeri që e druan Zotin,

që kënaqet në urdhërimet e tij.

2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë,

do të bekohet breznia e të drejtëve.

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

5 I lumtur është njeriu që përdëllen e huajon,

punët e veta i kryen me ndërgjegje,

6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti,

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

9 Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;

drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,

balli i tij ngallit për nder.

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

Aleluja!

Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës, thotë Zoti. (Gjn 8, 12bc)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 12, 24-26) (fq. 1528)

 

Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në ato kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 «Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryte!

25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur.

26 Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.»

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat që po t’i kushtojmë me gëzim në festën e shën Lorencit dhe bëj të na vlejnë për shpëtimin tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI PËR SHENJTËR MARTIRË – I

Martirizimi shenjë dhe shembull

 

68. Ky prefacion thuhet në të kremte dhe festa të shenjtërve martirë. Mund të thuhet edhe në përkujtimet e tyre.

 

M Zoti qoftë me ju.

P Dhe me shpirtin tënd.

M T’i lartësojmë zemrat.

P I kemi te Zoti.

M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Sepse, gjaku i derdhur i shën Lorenci martir,

sipas shembullit të Krishtit, në dëshmim të Emrit tënd,

shfaq mrekullitë e tua,

me të cilat përkryen në ligështi virtytin

dhe fuqitë e dobëta i forcon për të bërë dëshmi,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Dhe prandaj me fuqitë qiellore

gjithherë të kremtojmë mbi tokë

duke i kënduar madhërisë sate pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Gjn 12, 26

 

Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje.

Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me dhuratën e shenjtë, përvujtërisht po të lutemi, o Zot, bëj që me këtë shërbesë në festën e shën Lorencit, t’i sprovojmë frytet e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.