Leximet e ditës

JAVA E XIX GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 73, 20.19.22.23

 

Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu. Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde, e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë: përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 2, 8-3, 4) (fq. 1147/8)

 

Unë e hëngra atë libër dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

Kështu thotë Zoti: 8 E ti, biri i njeriut, dëgjo ç’po të them: mos ji kryekëcyer porsi kjo pjellë kundërshtarësh; hape gojën dhe ha çka unë po të jap.” 9 Shikova dhe, ja, një dorë ishte e shtrirë drejt meje e në të ishte një libër i mbështjellë. E shtriu ndër sy të mi dhe, ja, ishte i shkruar përbrenda e përjashta: ishin të shkruara vajtime, gjëmë e dënesje.

3, 1 Ai më tha: “Biri i njeriut, haje ç’të është vënë përpara! Haje këtë rrotull dhe nisu e folu bijve të Izraelit!” 2 Unë e hapa gojën, ai më bëri ta ha rrotullin 3 e më tha: “Biri i njeriut, ushqeju dhe ngiju me këtë vëllim që unë po ta jap.” Unë e hëngra dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti. 4 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, shko te shtëpia e Izraelit dhe thuaju fjalët e mia.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 14.24.72.103.111.131 (fq. 797/805)

 

Ref. Sa të ëmbla janë premtimet e tua, o Zot!

 

14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua

se pasurisë tejet të madhe.

24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqja ime,

rregulloret e tua këshilltarët e mi.

 

Ref. Sa të ëmbla janë premtimet e tua, o Zot!

 

72 Më i mirë është për mua Ligji yt

se me mijëra monedha ari e argjendi.

103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua,

më të ëmbla se mjalti për gojën time.

 

Ref. Sa të ëmbla janë premtimet e tua, o Zot!

 

111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm,

janë kënaqësia e shpirtit tim.

131 Hap gojën e marr frymë

i mallëngjyer për porositë e tua.

 

Ref. Sa të ëmbla janë premtimet e tua, o Zot!

 

Aleluja!

Merrni mbi vete zgjedhën time, thotë Zoti, pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. (Mt 11, 29ab)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 18, 1-5.10.12-14) (fq. 1408/9)

 

Nëse nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

1 Në atë kohë, nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:

 “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë sikurse është ky, ai më pranon mua.”

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej kësi të vegjlish, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]

12 Ç’ju thotë mendja? Po i pati ndokush njëqind dele dhe po i treti njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i treti? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të tretë asnjë ndër këta të vegjlit.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate, të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar dhe me pushtetin tënd shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 147, 12.14

 

Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin, sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.

 

Ose: Krh. Gjn 6, 52

 

Buka që unë do t’ju jap është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na shpëtoftë, o Zot, pjesëmarrja në sakramentet e tua dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.