Leximet e ditës

JAVA E XIX GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 73, 20.19.22.23

 

Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu. Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde, e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë: përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 9, 1-7; 10, 18-22) (fq. 1153/4)

 

Shënoje një “tau’’ mbi ballin e atyre njerëzve që ofshajnë për shkak të gjitha këtyre turpësive që po bëhen në Jerusalem.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

1 Një zë i fortë bërtiti në veshët e mi e më tha: “U afruan ndëshkimet e qytetit! Secili le ta ketë në dorë veglën e vrasjes!” 2 Dhe ja, gjashtë vetë po vinin nga dera e lartë, nga ajo që shikon drejt veriut, e secili mbante në dorën e vet armën e goditjes. Midis tyre ishte një tjetër njeri i veshur me petka të linjta e veglat e shkrimit i kishte në brez. Hynë dhe zunë vend përbri lterit të tumbakët. 3 Lavdia e Hyjit të Izraelit, nga kerubini, mbi të cilin pushonte, u ngrit në drejtim të pragut të Tempullit dhe e thirri burrin që ishte i veshur me petka të linjta dhe që i kishte veglat e shkruesit në brez.

4 Zoti i tha: “Kalo përmidis qytetit nëpër Jerusalem dhe shënoje një “tau” mbi ballin e atyre njerëzve që ofshajnë dhe dënesin për shkak të të gjitha këtyre turpësive që po bëhen në mes të Jerusalemit.” 5 Kurse atyre të tjerëve u tha e dëgjova vetë: “Kaloni nëpër qytet e shkoni pas tij dhe goditni: syri juaj të mos ketë dhimbë e mos kini mëshirë: 6 vritni plak e të ri, vajzë, foshnjë e grua, tretuani farën; por ruajuni se vritni ndonjë prej atyre që e kanë shenjën “tau”. Nisjani nga Shenjtërorja ime!” Ia filluan, pra, nga pleqtë që ishin para Tempullit. 7 Atëherë u tha: “Dhunojeni Tempullin! Mbusheni oborrin me të vrarë! Dilni!” Ata dolën e i vrisnin ata që ishin në qytet.

18 Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit e zuri vend mbi kerubinë. 19 Kerubinët i hapën krahët e vet ndër sy të mi e u ngritën nga toka, e, duke u nisur, me ta shkuan edhe rrotat. U ndal në hyrje të derës së Shtëpisë së Zotit, në lindje. Lavdia e Zotit të Izraelit ishte mbi ta.

20 Është ky po ai gjallor që e pashë nën Hyjin e Izraelit bri lumit Kobar dhe e kuptova se ishin kerubinë. 21 Secili ishte me katër faqe e me katër krahë edhe secili kishte nën krahë diçka të ngjashme me dorën e njeriut. 22 Fytyrat i kishin të njëjta me ato që i pashë bri lumit Kobar. Secili ecte përpara.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 113 (112), 1-2.3-4.5-6 (fq. 791)

 

Ref. Lavdia jote, o Zot, i tejkalon qiejt.

 

1 Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,

lavdërojeni, Emrin e Zotit!

2 Qoftë bekuar Emri i Zotit

qysh tash e deri në amshim,

 

Ref. Lavdia jote, o Zot, i tejkalon qiejt.

 

3 Që kur lind dielli e derisa perëndon

qoftë bekuar Emri i Zotit!

4 I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt,

lavdia e tij i tejkalon qiejt.

 

Ref. Lavdia jote, o Zot, i tejkalon qiejt.

 

5 Kush është si Zoti, Hyji ynë,

që fronin e ka në Lartësi,

6 e nga lart vrojton qiellin e tokën?

 

Ref. Lavdia jote, o Zot, i tejkalon qiejt.

 

Aleluja!

Hyji nëpër Krishtin e pajtoj botën me vetvete, duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. (2 Kor 5, 19)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 18, 15-20) (fq. 1409)

 

Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate, të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar dhe me pushtetin tënd shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 147, 12.14

 

Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin, sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.

 

Ose: Krh. Gjn 6, 52

 

Buka që unë do t’ju jap është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na shpëtoftë, o Zot, pjesëmarrja në sakramentet e tua dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.